“Integrimi në BE, prioritet i përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës”

Presidenti Nishani në takimin me Kryeministrin Thaçi e fton në ceremonitë jubilare të 100 vjetorit të Pavarësisë
Zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, bashkëpunimi ndërshtetëror mes Shqipërisë dhe Kosovës si dhe procesi i integrimit evropian të dy vendeve, ishin në fokus të takimit mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe Presidentit Bujar Nishani.
Gjatë bisedës, Presidenti Nishani pasi uroi për vendimin e marrë për heqjen e pavarësisë së mbikëqyrur, theksoi se kjo arritje historike i atribuohet popullit të Kosovës për largpamësinë e treguar në përmbushjen e kushteve të vëna nga bashkësia ndërkombëtare. Kreu i Shtetit vlerësoi rolin dhe udhëheqjen e Kryeministrit Thaçi si dhe kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Presidenti i Republikës përshëndeti hapat e Kosovës në drejtim të BE-së, si marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe fillimin së shpejti të studimit të fizibilitetit për MSA-në, duke e vlerësuar këtë si një etapë të re në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian. “Shqipëria dhe institucionet e saj ka ofruar dhe do të vazhdojë të ofrojë përvojën pozitive në proceset integruese duke qenë një zë mbështetës për Kosovën” - vuri në dukje Presidenti Nishani.
Presidenti i Republikës komentoi marrëdhëniet e shkëlqyera e bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe e cilësoi këtë vizitë të parë të një simbolike të veçantë në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke e ftuar njëherësh Kryeministrin Thaçi në festimet e këtij jubileu.
Nga ana e tij, kreu i qeverisë së Kosovës bëri një ekspoze të të arriturave të shtetit të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë deri në periudhën e tanishme, kur edhe zyrtarisht po përmbyllet procesi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. “Suksesi i Kosovës në këto 4 vite e gjysmë të shtetësisë së saj është meritë e përkushtimit të institucioneve shtetërore të Kosovës, i unitetit politik dhe qytetar për të çuar përpara proceset zhvillimore dhe integruese të Kosovës. Pas përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, prioritet kryesor vazhdon të mbetet përshpejtimi i agjendës së integrimit të Kosovës në BE dhe në NATO”, theksoi kryeministri Thaçi.
Ai solli në vëmendje edhe ndryshimet kushtetuese, të cilat do t’u shërbejnë përmirësimeve ligjore dhe arritjes së standardeve më bashkëkohore evropiane. Kryeministri i Kosovës garantoi se ka transparencë të plotë në koordinim me Brukselin për sa u përket marrëdhënieve me Serbinë.
Duke folur për bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë, Kryeministri Thaçi theksoi se ky bashkëpunim është i shkëlqyer dhe do të thellohet edhe më tej në fushat me interes të përbashkët, duke u fokusuar në bashkëpunimin ekonomik.
Ndërkaq, presidenti i Republikës Bujar Nishani, duke vlerësuar qasjen e partnerëve ndërkombëtarë kundrejt Kosovës shprehu bindjen se nuk ka asnjë dilemë në suksesin e Kosovës në këtë proces.
Nishani – Mustafa
“Të punojmë së bashku për të ardhmen”
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani pati një takim të veçantë edhe me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, njëkohësisht Kreun e LDK-së, Isa Mustafa, të zhvilluar në mjediset e Bashkisë së Prishtinës, ku për nder të Kryetarit të Shtetit Shqiptar ishte organizuar një pritje madhështore dhe një mbledhje e veçantë e anëtarëve të Kuvendit Komunal.
Gjatë bisedës së zhvilluar në një atmosferë tepër të ngrohtë e miqësore, Presidenti Nishani vlerësoi punën e strukturave vendore të kryeqytetit kosovar për të përballur me sukses të gjitha sfidat që parashtron për këtë komunë, detyrimi për t`i shërbyer në çdo kohë dhe për të gjitha nevojat qytetarëve të saj.
Kryetari i Shtetit shqiptar u uroi drejtuesve vendorë të pranishëm në këtë takim suksese në realizimin dhe përmbushjen e të gjitha strategjive që kjo komunë planifikon për të ardhmen.
Kryetari i Komunës së Prishtinës Isa Mustafa shprehu vlerësimin e lartë dhe nderimin që Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i bën Komunës së kryeqytetit përmes kësaj vizite tepër të shumëpritur dhe të dëshiruar për qytetarët prishtinas.