E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi, pyetësori i KE-së dorëzohet në Bruksel

Berisha njoftoi dje nisjen e menjëhershme të përgjigjeve. Për këtë çështje, sot takim me Fylen


TIRANË - Përgjigjet për pyetësorin e Komisionit Europian për Shqipërinë janë dorëzuar mbrëmë në Bruksel. Kryeministri Berisha njoftoi dje në mbledhjen e qeverisë nisjen e menjëhershme të përgjigjeve të pyetësorit, së bashku me kopjen elektronike.


"Kemi sjellë këtu, sot, përgjigjet për pyetësorin e Komisionit Europian për Shqipërinë, përgjigje të cilat janë paraqitur në 3854 faqe dhe u korrespondojnë 2284 pyetjeve. Siç e shihni, ky është vëllimi më i madh që kam pasur ndonjëherë në dorë, të cilin mendova t'ju paraqes juve, zotërinj ministra dhe mediave, para se ta nisim për në Bruksel.


Ai përshkruan të gjithë përpjekjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve në udhën e tyre drejt Bashkimit Europian, tërësinë e reformave, ligjeve dhe vendimeve të këtij vendi, mbi të cilat funksionon sistemi demokratik dhe ekonomia e tregut, pra, paraqet thelbin e zhvillimeve 20 vjeçare të Shqipërisë", - tha dje Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë.


Për këtë arsye, kreu i ekzekutivit ka ftuar opozitën për bashkëpunim. "Paraqitja e përgjigjeve të pyetësorit përbën një moment shumë të veçantë dhe të rëndësishëm në marrëdhëniet midis Shqipërisë, Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian.


Ky është një rast të ftoj edhe një herë opozitën shqiptare të angazhohet me të gjithë potencialet e saj, për të dhënë kontributin e vet në procesin e integrimit të vendit, në përputhje me programin, që ajo ka paraqitur para anëtarëve të saj, para qytetarëve shqiptarëve", - tha ai.


Sipas tij, në këtë proces integrues ka hapësira për kontributin e të gjithë faktorëve, mazhorancës qeverisëse, opozitës, shoqërisë civile, biznesit, botës akademike, rinisë, grave etj.


Berisha shprehu besimin se do të merret një vlerësim objektiv nga ata që do ta shqyrtojnë këtë pyetësor. Një kopje të përgjigjeve, kreu i ekzekutivit do t'ia dorëzojë personalisht sot gjatë vizitës së tij në Bruksel, Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule, me të cilin do të zhvillojë edhe një takim, e më pas një Konferencë për shtyp.


Në ditën e dytë të qëndrimit në Bruksel, Kryeministri Berisha do të takohet me Presidentin e Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, me Presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, si dhe do të zhvillojë një takim e më pas një Konferencë për shtyp me Presidentin e Parlamentit Europian, Jerzy Buzek.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›