E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Oborret në përdorim", për tarifat vendos Bode dhe Nishani

Me vendimin e djeshëm të Këshillit të Ministrave do të ndryshojnë edhe afatet e marrjes së vendimit nga AKKP

TIRANË - Të gjithë subjektet që do të paraqesin kërkesë pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për tjetërsimin e oborreve, që kanë në përdorim, do të duhet të paguajnë një tarifë shërbimi, jo më sipas ligjit për "Për taksat kombëtare", por sipas një urdhri të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave.


Ky fakt është sanksionuar në disa ndryshime që Këshilli i Ministrave ka ndërmarrë dje në ligjin "Për përcaktimin e kushteve dhe për procedurën e tjetërsimit të oborreve në përdorim për llogari të fondit të kompensimit financiar".


Po sipas ndryshimeve të kabinetit qeveritar, kërkesa nga subjekti duhet të plotësohet sipas formularit tip, të miratuar nga ministri i Drejtësisë, por edhe me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së.


Ndryshe nga vendimi i mëparshëm, formulari tip duhet të përmbajë një paralajmërim, që ngarkon me përgjegjësi, sipas ligjit, subjektin kërkues në rast të deklarimit të të dhënave të rreme apo të depozitimit të dokumentacionit të falsifikuar.


Këshilli i Ministrave ka ndryshuar edhe afatet e marrjes së vendimit nga AKKP-ja lidhur me kërkesën e depozituar. Kështu, AKKP-ja, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, por jo më vonë se 3 (tre) muaj nga data e paraqitjes së kërkesës të dokumentacionit nga kërkuesi, shqyrton dhe jep vendim për të.


AKKP-ja verifikon dhe përcakton, nëse kërkesa e dokumentacionit shoqërues përmbushin kushtet e përcaktuara në këtë vendim, si dhe saktëson kufijtë e oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet.


Qeveria ka shfuqizuar edhe ato pika që lidheshin me afatet e paraqitjes së kërkesës pranë zyrave rajonale të AKKP-së, kjo si rezultat i shkrirjes së këtyre zyrave. Sipas vendimit aktual, kërkuesi bashkë me kërkesën për tjetërsimin e oborrit në përdorim duhet të paraqesë edhe dokumentin për të drejtën e pronësisë së kërkuesit mbi ndërtimin, që gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim, i lëshuar nga ZRPP-ja;


b) Genplani i oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, i hartuar nga një topograf i licencuar; c)


Dokumenti me të dhënat për gjendjen juridike të oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, i lëshuar nga ZRPP-ja; dokumentet, që provojnë faktin se ndërtimi, i cili gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, është kryer përpara datës 10.8.1991.


Me ndryshimin e vendimit të djeshëm, oborr në përdorim do të kuptohet tanimë sipërfaqja e tokës, në pronësi shtetërore, në funksion të një ndërtimi të ligjshëm, për qëllime banimi në posedim, të qetë dhe pa ndërprerje, të pronarit të ndërtimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›