E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA “bashkon” Topin, Topallin dhe Berishën, mungon Rama

Topi, Berisha dhe Topalli i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së ambasadës amerikane për të marrë pjesë në hapjen e ekspozitës "Here is New York - A democracy of Photographs". Mungon Rama. PS-ja përfaqësohet me Valentina Leskajn dhe Arta Daden

TIRANË Hapja e ekspozitës "Here is New York - A democracy of Photographs", organizuar nga ambasada amerikane në Tiranë në 10-vjetorin e sulmeve terroriste që u ndërmorën në SHBA, ka bashkuar në një ceremoni presidentin e Republikës, Bamir Topi; kryeministrin Sali Berisha; kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli;dhe dy ish-presidentët Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu. Edhe pse të pranishëm në një ceremoni të vetme, Topi, Berisha e Topalli kanë ndjekur protokollin zyrtar të ndjekur nga ambasada amerikane, duke shkëmbyer një përshëndetje të ftohtë dhe formale. Asnjë batutë apo qëndrim jashtë kornizës zyrtare nuk ka shoqëruar tre politikanët, që dikur bashkë përfaqësonin lidershipin e lartë të PD-së. Në ceremoninë e djeshme binte në sy edhe mungesa e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, ndërkohë që kishin konfirmuar pjesëmarrjen me praninë e tyre dy deputetet e PS-së, Valentina Leskaj dhe Arta Dade. Gjatë fjalës së mbajtur, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu tha se në këtë përvjetor njerëzit nga çdo cep i botës qëndruan në solidaritet me SHBA-në. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë edhe Shqipërinë për mesazhet kuptimplota që përcollën në përkujtim të tragjedisë së madhe. Duke u ndaluar konkretisht te koleksioni i fotografive, ambasadori amerikan theksoi se ky koleksion përmban foto që janë marrë më 11 shtator. Ndërkohë, gjatë fjalës së mbajtur, presidenti i Republikës, Bamir Topi, tha se sot Al Kaeda ka marrë një goditje mjaft të rëndë. Topi hoqi një paralele edhe me ngjarjen tragjike të pak ditëve më parë, ku vdiq në një atentat mafioz gjyqtari Skerdilajd Konomi. “Më duhet t’ju them që lufta kundër terrorizmit, qoftë edhe në rastet sporadike, është e përditshme. Një rast të tillë populli shqiptar, shteti shqiptar, sistemi gjyqësor e ndeshën vetëm dy ditë më parë, kur një punonjës i nderuar i shtetit, i ligjit, mori goditjen në mënyrën më spektakolare dhe barbare në mes të Vlorës. Kështu që ne duhet të punojmë çdo ditë, çdo orë, çdo minutë së bashku, në mënyrë që ta bëjmë botën më të qetë e më të paqtë”,- tha Topi. Nga ana e tij, kryeministri Sali Berisha tha se Shqipëria ndihet krenare në ndihmesën që ajo ka dhënë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. “Atë ditë, shqiptarët, për të cilët kombi juaj ka bërë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e tyre, janë ndjerë më shumë se të tjerët amerikanë. Ne i jemi mirënjohës vendit e qeverisë suaj, ish-presidentit Bush e presidentit Barack Obama për udhëheqjen që i kanë bërë luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar e sukseset e mëdha në këtë luftë. Ne jemi krenarë që rreshtohemi përkrah jush dhe japim ndihmesën tonë modeste në rezultatet e kësaj lufte”, tha Berisha. Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha se shqiptarët nderojnë kujtimin e 3 mijë jetëve të këputura më 11 shtator 2001, të racave, besimeve dhe shteteve të ndryshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›