E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në vend të urimit për këtë ditë

08-03-2012 / Nga Alma Lahe

Familja ime është me shumë fat. Kjo sepse që prej krijimit të saj përfiton nga shërbimet e një shërbëtoreje shumë të devotshme, e cila ç’i sheh syri i bën dora dhe që na e lehtëson çdo ditë jetën.
Shërbëtorja jonë ka një jetë që na shërben. Edhe pse kurrë nuk kam qenë e pasur as unë dhe as familja ime, nuk kemi kaluar asnjë ditë pa shërbimet e saj. E pse u dashka të jesh i pasur për të pasur një shërbëtore? Fundja, ne nuk kemi paguar kurrë asnjë qindarkë për të pasur shërbimet e saj.
Shërbëtorja jonë punon falas, nuk ankohet asnjëherë dhe kurrë nuk kërkon shpërblim për punën e saj. Shërbëtorja jonë punon shtatë ditë të javës, madje ndonjëherë dita shtatë dhe ajo tetë në majë të këmbëve dhe në krye të punëve.
Fundja kujt t’i ankohet? Dhe për çfarë të ankohet? Se mos bën më shumë se sa detyrën e vet? Babai im e ka (marrë) pajtuar Shërbëtoren dyzet vjet më parë në bazë të një kontrate.
Shërbëtorja jonë s’është tjetër veçse gruaja e babait tim (pra, nëna ime, e motrës dhe vëllait tim). Nëna-shërbëtore në këta dyzet vjet që shërben në shtëpinë tonë vazhdon të përmbushë kriteret e kontratës (edhe pse të pashkruar) së martesës me babanë tim. Kontrata është formuluar me shumë kujdes nga shoqëria dhe bëhet e detyrueshme për çdo individ të lindur femër ditën e kurorëzimit të saj.
Në bazë të kësaj kontrate, bashkëshorti angazhohet ta trajtojë mirë bashkëshorten-shërbëtore, ndërsa bashkëshortja, ndër të tjera, betohet të ofroj shërbimin e saj pa kushte dhe pa pagesë për bashkëshortin dhe familjen e re. Për femrën nuk është e vështirë të pranojë këtë kontratë. Fundja, shërbimet e veta i ka ofruar edhe në shtëpinë e babait që prej kohës kur kuptoi se vajzat vishen me fustan dhe se duhet t’i rregullojnë shtratin, t’i shtrojnë e ngrenë tryezën, t’i hekurosin teshat edhe vëllait më të vogël – i që ka ‘qëlluar’ djalë (dhe për të cilin shoqëria ka përgatitur një kontratë me kushte e kritere krejt të tjera).
Profesionin e shërbëtores nëna ime e ka trashëguar nga e ëma, e cila, nga ana e saj, po ashtu e ka trashëguar nga dega femërore e familjes, brez pas brezi.
Kjo nuk do të thotë se ne vazhdojmë të mbetemi peng i traditës prapanike. Tani gjithshka është ndryshe. Nëna ime nuk punon në të njëjtat kushte si nëna, aq më pak si gjyshja e saj. Shërbëtorja jonë ka kushte shumë më të mira pune. Makina larëse është e fjalës së fundit, uji i ngrohtë e i ftohtë nuk mungon 24 orë në ditë. Enët e kuzhinës janë të të gjithë ngjyrave dhe formave, dhe pajisjet e kuzhinës me të gjitha opsionet për të lehtësuar procese gatimi. Soba metalixato punon me korent e me gaz…
Megjithëse, as Gjyshja-ime-Shërbëtore nuk mbaj mend të jetë ankuar ndonjëherë për vështirësitë e punës së saj.
Madje, sot ne jo vetëm ia kemi lehtësuar jetën Nënës-Shërbëtore, por e duam dhe e respektojmë shumë atë. Ndonjëherë, kur e shohim të lodhur i japim leje të shplodhet. Kurrë nuk e dhunojmë fizikisht (rrallë emocionalisht). Madje, jo rrallë ne në familje i bëjmë dhurata dhe i ofrojmë ndonjë drekë jashtë. 
Ka nga ata që shërbëtoret i trajtojnë shumë keq, Bashkëshortët, madje edhe fëmijët, gjejnë, arsye për të mos u kënaqur nga puna dhe përkushtimi i tyre. I shajnë, fyejnë, rrahin, madje (mos o Zot) u marrin deri edhe jetën. 
Jo, Shërbëtorja jonë nuk e ka këtë problem. E shumta, ne ankohemi që gjella ka shumë krip, që është shumë e nxehtë, që këmisha nuk është hekurosur mirë, që xhamat e dritares edhe kanë ende tek-tuk ndonjë njollë, se tualeti nuk është pastruar mirë…
Mjaft!
Sot nuk është dita për të folur për gjëra të tilla. Sot është një ditë e veçantë. Sot të gjitha nënat (shërbëtoret) janë të lumtura të festojnë ditën e tyre, të vetmen në 365 ditë të vitit. Sot, plot lule dhe urime u dedikohen nënave-shërbëtore që nuk lodhen dhe nuk ankohen kurrë së na shërbyeri dhe së na e lehtësuari jetën.
Sot është ditë e veçantë dhe ne kemi vendosur ta festojmë familjarisht. Nëna do të marrë dhuratë një tufë me lule shumëngjyrëshe dhe shumë dashuri. Tryeza do të shtrohet plotë, me të gjitha të mirat.
Dhe që gjithshka të jetë perfekte, që nga gatimi e deri tek servirja këtë pjesë të festës ia kemi besuar (kujt tjetër?) shërbyeses sonë të dashur.   

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›