E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi ynë në BE dhe integrimi i Bregut në PD

Nga Mero Baze

Ka disa poste në qeveri, që natyra e punës i bën më të moderuar se të tjerët. Fjala vjen nëse Ministri i Brendshëm i Berishës duhet një njeri që thotë si urdhëron kur hap telefonin, apo Ministri i Financave një mediokër që të pranojë lëvdatat ekonomike të kryeministrit, nuk është e nevojshme që në këtë standard të kemi dhe Ministren e Integrimit. Për shkak të një detyre specifike që ajo ka, si interlokutore e qeverisë shqiptare me administratën e Bashkimit Evropian, ajo ndryshe nga ministrat e tjerë të qeverisë përballet realisht me standardin e Shqipërisë krahasuar me Bashkimin Evropian. Fjala vjen, nëse Berisha në mbledhje qeverie pasi tregon se si duhet të dalësh për gjah, flet që ua kemi kaluar dhe 16 vendeve të BE, ministrja mund të ulë kokën dhe të bëjë sikur nuk dëgjon, por nuk do të thotë që këtë ta thotë dhe në Bruksel. Pra, me pak fjalë dua të them se ndryshe nga ministrat e tjerë që janë të lirë të jenë servilë apo militantë, skiftera apo pëllumba, Ministria e Integrimit e Shqipërisë është e dënuar të jetë serioze dhe realiste. Arsyet janë të shumta. Shqipëria, e cila ka aplikuar nxitimthi qysh në Prill të vitit 2009 për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtar të BE, ende nuk ka një përgjigje për kërkesën e saj.

Nuk dua ti hyj banalitetit të shpikjes së përgjegjësive të opozitës për pranimin e kërkesës. Maqedonisë i është pranuar kjo kërkesë kur vendi ishte në luftë. Nuk dua as të hyj në debatin vulgar të 12 pikave, nga të cilat disa duan vota të opozitës. Nëse disa nga ato institucione duan votën e opozitës, dhe ajo nuk e jep për shkak të standardit ku ka katandisur institucionet Sali Berisha, ai refuzim është garanci më e madhe evropiane se sa loja e strucit që kërkon të bëjë qeveria. Një demokraci funksionale është një demokraci që di të përballojë protestat e opozitës, shtypin e lirë, parlamentarizmin dhe mbi të gjitha di të menaxhojë krizat politike. Qeveria shqiptare nuk di të bëjë asgjë nga këto.

Ndaj desha të them se të gjithë janë të lirë të bëjnë lojë me këtë gjëmë që na ndodh, por jo Ministria e Integrimit. Berisha është i lirë të vazhdojë ti ngjajë Gadafit në fjalimet e veta, Bujar Nishani është i lirë ti besojë, Ridvan Bode është i lirë të kruajë xhepat dhe të shikojë Berishën në sy kur flet për mrekulli ekonomike, por Majlinda Bregu nuk është e lirë të thotë pallavra. Ajo ndryshe nga të tjerët ka barrën të jetë pika jonë e kontaktit me Bashkimin Evropian, dhe nuk mund të jetë aq jo-serioze sa të mendojë se refuzimi i opozitës u zgjidhka me parimin e kërbaçit dhe karotës ndaj opozitës. Meqë opozita nuk u tremb nga kërbaçi i 21 Janarit, pra kur qeveria vrau katër vetë se nuk i pëlqyen Berishës nga dritarja ku i shihte, ju afrua karota që qenka Avokati i Popullit!

Por më tej akoma ka një histori të shëmtuar në komunikimin e saj jo vetëm me Brukselin, por dhe parlamentin shqiptar. Gazeta Shqip botoi para disa ditësh një letër që i referohej punonjësve të Ministrisë së Integrimit, të cilët raportonin se rekomandimet e Brukselit po shtrembërohen dhe se zonja Bregu nuk është duke folur publikisht për detyrimet reale që kemi. Nuk e di kush janë këta punonjës kurajozë, por kolegët e mi më thanë se janë drejtues të rëndësishëm të Ministrisë së zonjës Bregu, ndoshta dhe zëvendës të saj dhe unë jam i prirur ti besoj ata në shqetësimin e tyre, pasi ata janë nën presionin direkt të Brukselit. Ata kontaktojnë me homologët e tyre në zyrat e Brukselit dhe tmerrohen kur të tjera gjëra kanë si detyra shtëpie, dhe për të tjera gjëra ministria shpjegon notën pakaluese. Në këtë pikë do të thosha se Ministria e Integrimit ka më shumë nevojë për profesionistë dhe njerëz të ftohtë që nuk e kanë mendjen tek karriera politike, por tek detyrimet tona reale ndaj Brukselit. Vendi për tia kaluar Berishës në sulmet ndaj opozitës, medies, apo institucioneve të tjera, nuk  është tek Ministria e Integrimit, por tek ndonjë zyrë e PD-së.

Unë e kuptoj sikletin që ka zonja Bregu, e cila ka qysh në qershor që e ka marrë përgjigjen negative për 15 tetor, por ajo nuk është përgjegjëse personale për atë që ka ndodhur. Ajo nuk ka asnjë meritë dhe asnjë përgjegjësi nëse ne dështojmë apo integrohemi në Evropë. Ajo është thjesht një korriere e Shqipërisë në letërkëmbimin me Evropën dhe si e tillë, ka në dorë vetëm të na dorëzojë ne në rregull postën e Evropës dhe anasjelltas. Pak a shumë duhet të bëjë atë që kanë bërë vartësit e saj disa ditë më parë, të shqetësohet nga ato që dëgjon në Bruksel për Shqipërinë, dhe jo të gëzohet  nga ato që shpik Berisha në Tiranë për të gënjyer Brukselin. Është kohë e keqe për të qenë Ministër i Integrimit në Tiranë pasi nuk mund të jesh edhe me Berishën, edhe me Perëndimin. Unë e kuptoj që zonja Bregu kërkon të integrohet me çdo çmim në PD, por problemi i shqiptarëve është si të integrohen në BE.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›