E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intelektualët letër Topit për regjistrimin etnik

52 personalitete shqiptare te fushave te ndryshme, janë shprehur kundër regjistrimit te popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Ata i kane drejtuar një peticion presidentit Topi, kryeministrit Berisha si dhe kryeparlamentares Topalli. Mes tyre, janë edhe 2 ish- presidentët Moisiu dhe Meidani, politikanë të spektrit të ndryshëm si Xhufi, Godo, Mustafaj, por edhe shkrimtarë, artistë, historianë, analistë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, te cilët kane shprehur shqetësimin lidhur me regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare që prek të drejtat themelore të njeriut, interesat kombëtare dhe bie ndesh me kushtetutën. Sipas këtij peticioni, personalitetet, mendojnë se shprehja e përkatësisë etnike dhe fetare që mbështetet edhe në kartën e Kopenhagenit është një çështje e individit. Ata i referohen nenit 20 të kushtetutës që u jep të drejtën pakicave kombëtare të shprehin lirisht pa u ndaluar dhe pa u detyruar përkatësinë e tyre etnike, fetare, kulturore dhe gjuhësore. Ata shtojnë se elemente të tillë regjistrimi nuk ekzistojnë në asnjë nga 27 vendet anëtare të BE dhe se Shqipëria është një vend pa konflikte etnike dhe fetare, ku pakicat kombëtare gëzojnë të drejtat më të plota sipas standardeve Europiane. Sipas tyre Shqipëria është shtet laik dhe regjistrimi mbi bazë etnike dhe fetare do të nxiste një garë negative mes këtyre kategorive, ndërsa vetëdeklarimi është haptas kundër identitetit tonë. Personalitetet propozojnë në këtë kuadër që ligji për gjendjen civile i bërë në këtë frymë të shfuqizohet.

Shpërndaje          

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›