E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intelektualët sezonalë, të padobishëm për Bashën

Nga Mero Baze

Stafi elektoral i kandidatit të Berishës për bashkinë e Tiranës po përpiqet të tërheqë kundërshtarin e tij në fushën e vet të lojës përmes sajesave të forumeve apo iniciativave për qytetin në fushatë elektorale. Një e tillë duket se u njoftua dhe dje. Një listë prej rreth 30 intelektualësh, në shumicë anëtarë të forumeve të Partisë Demokratike ose të afërt me qëndrimet e saj, kanë shpërndarë befas me e-mail njoftimin për lindjen e iniciativës, programin e saj dhe ftesën për kandidatin Edi Rama që të shkojë tek tryeza e tyre.

Nuk dua të analizoj listën dhe angazhimet e tyre për qytetin se nuk ekzistojnë. Ata në përgjithësi po i quaj zanatçinj të mirë për punët që bëjnë, disa biznesmenë të mirë, disa profesorë të mirë, disa ekspertë të mirë dhe disa servilë të mirë, por asnjë prej tyre, thuajse asnjë, ndonjë veprimtar i mirë i shoqërisë civile për qytetin apo sfidat e tij. Të marrë një nga një me ta mund të bisedohet, por jo për Tiranën, por për punët e tyre. Për shembull Adrian Civici që ka drejtuar Universitetin Evropian të Tiranës, ka shans të debatojë me Edi Ramën pse ky i fundit i quan universitetet private fabrika diplomash që po marrin më qafë shoqërinë. Do të ishte një debat interesant dhe ai mund të mbrojë dhe tezën e kundërt. Të njëjtën gjë mund të bënte me zotin Rama dhe Aleks Luarasi, i cili drejton një universitet me pak më shumë sqimë se fabrikat e diplomave. Me Shimën dhe Osekun Rama po ashtu mund të diskutonte besoj me qejf për pikturat dhe unë i çmoj ata si dy piktorë më të mirë se piktori Edi Rama. Me disa mjekë të nderuar të Tiranës si Petrela, Kruja apo ndonjë tjetër Rama po ashtu mund të bisedonte për tema interesante të reformës në mjekësi, dhe të mësonte prej tyre, për aq sa dinë, edhe pse janë anëtarë të forumeve të PD-së.

Ka mes tyre ca pedagogë të rëndomtë pa ndonjë vlerë që sia vlen as të harxhosh kohë ti takosh, dhe natyrisht ca biznesmenë të PD-së që mund të merren si shembull privilegjesh nga pushteti. Interesant është emri i Elsa Ballaurit, një veprimtare e të drejtave të njeriut, e cila mund të debatojë me Lulëzim Bashën për vrasjen e katër qytetarëve nga policia e komanduar prej tij më 21 janar, apo e avokatit Sokol Nako që mund ti sugjerojë Ramës rekomandime të vlefshme për  legjislacionin në vend. I vetmi në atë listë që mund të debatojë për Tiranën me Ramën është arkitekti Enver Faja, i cili ka rezervat e veta për zhvillimin e këtij qyteti, ashtu siç ka përgjegjësinë e tij.

Pra, përpjekja e zotit Basha për të tërhequr në një debat bashkiak Edi Ramën, me profile emrash të cilët mund të debatojnë me Ramën vetëm si kandidat për kryeministër është kontradiktore. Është e vërtetë që Basha është në siklet nga pozicioni i kithët në të cilën po ecin të dy fushatat, ajo e tij dhe e kundërshtarit, por rruga për ta  tërhequr atë në fushën e vet të lojës, do pak më shumë zgjuarsi.

Kjo listë intelektualësh, për të cilën kam frikë se nga urgjenca si është përgatitur, nuk janë njoftuar të gjithë as për aktivitetin, nuk ka asnjë lidhje me debatin rreth qytetit, përveç faktit se ata janë 31 nga qindra- mijëra banorë të Tiranës. Siç e theksova, disa prej tyre janë intelektualë të zot dhe mund të flasësh me ta për ekspertizën e tyre në disa fusha që i shërbejnë qeverisjes së mirë të vendit, ashtu si me disa të tjerë nuk duhet të harxhosh kohën as për kafe, por me asnjë prej tyre nuk mund të flasësh për këtë qytet. P.sh, Elsa Ballaurin nëse do të jetë me gjithë mend veprimtare e të drejtave të njeriut, nuk mund ta fyesh dhe të diskutosh për idetë e Bashës për Tiranën, pasi çdo kolege e saj në botë, do të ishte bërë kamikaze për ta penguar që ai të kandidojë pasi ka vrarë katër qytetarë. Kolegë të Ballaurit në botë vënë jetën në rrezik dhe kur policia rreh qytetarë, dhe jo më kur një Ministër i Brendshëm vret dhe krenohet me vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm jashtë ndërtesës së qeverisë. Nëse një veprimtare e të drejtave të njeriut injoron këtë fakt dhe e pranon një person përgjegjës për vrasje si kandidat, atëherë ajo ka shkelur mbi karrierën e vet pasi është përfshirë në një spirale për të pastruar biografinë e krimit nga ai person. E mora shembullin e Ballaurit për të treguar sa e pavend është ajo në atë tryezë dhe sa e rrezikshme është për biografinë e saj që ti shfaqet përpara vrasësi i katër qytetarëve dhe ajo të mos e pyesë për vrasjet, por për tramvajin e kombinatit. Po kështu vë në siklet dhe disa emra të njohur kineastësh, mjekësh, juristësh apo piktorësh, dhe siç ndodh zakonisht dhe disa pedagogë të UET, që skanë asnjë fuqi për ta tërhequr këtë fushatë elektorale atje ku ka nevojë vërtet zoti Basha, tek profili i ulët i debatit komunal, për tu pastruar biografia e tij prej një krimi, që ende ska mbushur tre muaj.

Nuk është se Henri Çili e ka menduar keq, por e ka menduar në kohën e gabuar, me njerëzit e gabuar dhe në favor të njeriut të gabuar. Kjo është një listë e gatshme intelektualësh që përdoret sa herë ka halle pushteti, bile për fat të keq jo vetëm ky pushtet. Të gjithë e kuptojmë që Basha ka nevojë të harrohet kush ka qenë dhe çka bërë, por ai smund tu kërkojë votën qytetarëve duke gënjyer për gjithçka, për jetën e vet, për jetën e gruas së vet, për karrierën e tij, dhe gjithçka që ata duan ta dinë. I ka nisur gënjeshtrat duke shpikur veten si vëzhgues në zgjedhjet e 22 marsit në moshën 17 vjeç dhe po përpiqet të  prodhojë një humbje elektorale me qëllim që të viktimizohet dhe ti harrohet përballja me drejtësinë. Është një llogari e gabuar. Ai duhet ta kuptojë se njerëzit nuk të gjykojnë keq kur pranon gabimet apo qoftë dhe krimet. Më keq të gjykojnë kur tenton ti gënjesh për atë çfarë je dhe nga vjen. Siç po bën zoti Basha.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›