E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intensifikohen luftimet ne qytetin kryesor te Bregut te Fildishte Abixhan

Intensifikohen luftimet në qytetin kryesor të Bregut të Fildishtë, Abixhan, pasi forcat besnike të presidentit të njohur nga OKB-ja, Alassane Ouattara, janë përleshur me forcat e rivalit Gbagbo.

Pallati presidencial ka qenë në qendër të luftimeve gjatë të cilave është përdorur artileri e rëndë.

Sipas të dhënave të fundit, të paktën 1 mijë persona kanë humbur jetën në perëndim të vendit, ndërkohë që 4 paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara u plagosën rëndë nga forcat e armatosura të Gbagbo-s.

Luftimet janë përqendruar në zonën jashtë pallatit presidencial, në selinë e televizionit shtetëror dhe në bëzan ushtarake, Agban.

Selia e OKB dhe veçanërisht anëtarët e misionit paqeruajtës në vend janë sulmuar me artileri të rënda nga trupat e Gbagbos.

Një deklaratë e lexuar në televizionin shtetëror, në emër të Gbagbo bënte thirrje për mobilizimin e trupave besnike të tij për të mbrojtur institucionet shtetërore.

Miliona civilë, raportoi OKB, kanë mbetur të bllokuar ndërkohë që një banor tha se në rrugë dëgjohen vetëm krismat e armëve dhe ka një mori plaçkitjesh.

Ndërkaq, vendi duket i përfshirë nga kriza humanitare e si pasojë, nuk ka ushqim dhe ujë.

“Shumë njerëz po tentojnë të përfitojnë nga kaosi në qytet”, tha një mjek në Abixhan.

Kurse në një deklaratë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon tha se përgjegjësit për krimet kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe do të nxirren para drejtësisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›