E Diel, 1 Nëntor 2026

Inter dëshiron t‘ia rrëmbejë Tevezin Mançester Junajtid

Në ëndrrat e bosit Masimo Morati nuk është vetëm Didier Drogba. Ngadalësia e Mançester Junajtid në mbylljen e procedurave për të blerë Karlos Tevezin, në fakt e ka bindur Interin të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme situatën. Ardhja e Berbatov në skuadrën e Sër Aleks Ferguson ka reduktuar hapësirën për argjentinasin, që në fakt deri tani, ka shënuar vetëm katër gola. Karlitos shpesh dhe me dëshirë ka ngrohur pankinën, që ka bërë të zvogëlohet në minimumin historik ndjenja që e lidh me "Djajtë e kuq". Ata që e sponsorizojnë ardhjen e argjentinasit, janë gjithë argjentinasit zikaltër. Për këtë arsye, Murinjo është bindur nga fakti se, nëse nuk do të mund të marrë Drogbanë, Tevez do të ishte një zëvendësues ideal. Në të kaluarën, ajo që ka frenuar Interin, ka qenë situata kontraktuale e Tevez, kartoni i të cilit i përket menaxherit të tij. Por tashmë, sipas rregullores, lojtari mund të arrijë një marrëveshje me një skuadër të re që në muajin janar. Junajtid ka kohë deri më 31 janar për të blerë Tevezin. Kostoja e operacionit është 20 milionë euro, rroga e lojtarit shkon në 7 milionë. Nëse Fergoson dështon, atëherë lojtari mund të firmosë me një skuadër tjetër. Dhe Inter gjendet në "pole position", i gatshëm për t‘ia rrëmbyer nga duart Realit të Madridit dhe të gjithë skuadrave të mëdha të Evropës. Operacioni mund të financohet nga shitja e Suazoz, tashmë në formë huazimi te Benfika dhe do të lejonte Moratin të zgjidhte problemin e sulmit pa rrezikuar një shpenzim të madh për Drogbanë e Çelsit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›