E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet Honda, blihet nga meksikani Slim

Në kohën limit ka mbërritur dhe shpëtimtari i shumëkërkuar: Ai tashmë është Karlos Slim, 67-vjeçari, njeriu i dytë më i pasur në gjithë botën. Ky njoftim ende nuk është tërësisht zyrtar, por sipas burimeve të besueshme, gjithçka është në pritje të formalizimit të detajeve për kalimin e pronësisë nga japonezët te meksikani. Por duket se janë vetëm dy pikat thelbësore: e para, skuadra tashmë është shpëtuar nga falimentimi; dhe e dyta, pilotët do të jenë Jenson Baton (i rikonfirmuar) dhe debutuesi Bruno Sena në vend të brazilianit Rubens Barrikelo. Slim është pronari i "Telmex", kompanisë telefonike, e cila mbulon 73 për qind të telekomunikacionit në Amerikën Latine. Sena është sponsorizuar nga "Embratel", shoqëria e grupit "Telmex". Dhe mbi të gjitha, ai është edhe nipi i Airton Senës, një emër që, edhe pas 11 vjetësh nga largimi nga jeta, dhuron ende një emocion të jashtëzakonshëm në Formula 1. "Ankandi tashmë quhet i mbyllur". Me këto fjalë, e përditshmja torineze "La Stampa" ka njoftuar dje për shpëtimin e ish-Honda Racing F1, skuadrës që ishte e gatshme të shiste të gjithë aktivitetin e saj në kategorinë më të lartë të automobilizmit. Lajmi, që pret konfirmim, është bërë i njohur nga shumë faqe të njohura lajmesh në internet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›