E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inter kthehet Eto iken Sneijder

Është thjesht çështje parash, shifrash marramendëse. Ishte pikërisht mbushja e arkave të klubit ajo që e detyroi Interin të shiste Samuel Eto dhe që e bindën yllin kamerunas të transferohej në Dagestan të Anzhi Makhaçkala. Megjithatë, në harkun e një kohe të shkurtër, sulmuesi e kuptoi që vetëm paratë nuk e blejnë lumturinë. 

Samuel Eto tashmë po mendon të largohet nga Premierliga ruse, ku mbeti i zhgënjyer nga rezultatet e skuadrës, e cila ndodhet larg vendit të parë dhe kualifikimit në Champions League. Për këtë arsye, në fund të sezonit ai do të bisedojë kokë më kokë me miliarderin Kerimov për të kërkuar që të shitet. Vendimi nuk duket përfundimtar, por palët po mendojnë që ta zgjidhin çështjen me konsensus dhe larg polemikave.

Problemi është thjesht ekonomik, pasi gjatë verës klubi rus investoi 27 milionë euro për kartonin e lojtarit dhe 20,5 milionë euro rrogë për tre sezone. Kjo bën që Eto të mos largohet nga Anzhi për më pak se 20 milionë euro, shifër që do të përbënte një investim të rëndësishëm për Interin, skuadër që mbetet destinacioni i preferuar i kamerunasit 31-vjeçar, i cili ka biseduar edhe me Masimo Moratin rreth mundësisë së rikthimit. 

Që Eto të kthehet te zikaltërit, klubi duhet të sakrifikojë një “big” dhe ai duket se do të jetë holandezi Uesli Sneijder. Për fantazistin Zeniti ka ofruar 25 milionë euro, ndërsa Kerimov mund ta rrisë ofertën në 30 milionë, për të larguar konkurrencën dhe ta marrë te Anzhi, ndërsa në Dagestan rroga e “tulipanit” do të jetë 8-9 milionë euro në sezon. 

Me paratë e fituara nga kjo shitje, Interi do të siguronte fonde të mjaftueshme për të rikthyer Samuel Eto, ndërsa edhe Sneijder ndoshta do të rigjente lumturinë, pasi tashmë te zikaltërit shihet më tepër si një problem, sesa si element kyç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›