E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajerni rikonfirmohet mace e zezë për Realin

Ka përfunduar me fitoren e Bayernit gjysëmfinalja e parë e Ligës së Kampionëve. Gjermanët kanë mundur në shtëpinë e tyre Realin e Mourinjos me rezultatin 2-1 duke u konfirmuar një kundërshtar i vështirë për spanjollët.

Bavarezët e filluan më mirë ndeshjen dhe luftonin për çdo top ndërkohë që në kampin tjetër Reali përpiqej me Ozil dhe Di Maria. Benzema dha shkëndijën e parë të ndeshjes duke goditur nga e djathta por portieri Nojer i vëmendshëm e largoi topin mbi traversë.

Pak minuta më vonë Riberi, duke përfituar nga një rrëmujë në zonë godet fortë dhe e çon topin pas shpinës së Kasijas. Numri 7 bavarez ishte një nga më të mirët në fushë dhe hapte gjithnjë problem në krahun e majtë. Ndryshe nga numri 7 i Realit, Ronaldo, që ishte krejtësisht në hije.

Ai bëri një ndeshje për tu harruar dhe për të do të mbahet mend vetëm pasimi për Ozil. Turko-gjermani nuk gaboi dhe barazoi rezultatin në minutën e 53.

Gjermanëve nuk iu duhej as barazimi dhe u hodhën sërish në sulm. Një depërtim i kapitenit Lahm nga e djathta dhe pasimi i tij finalizohen me gol nga sulmuesi Mario Gomez. Rezultati 2-1 lë gjithçka të hapur pasi një gol në ndeshjen e kthimit do të kualifikonte Realin.

Gentjan Alinani/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›