E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inter, plasin polemikat Murinjo-Baloteli

MILANO- Interi fitoi 1-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Fiorentinës, por kjo sfidë ka rindezur edhe njëherë polemikat në shtëpinë zikaltër mes Murinjos e Balotelit. Vendimtar në këtë takim ishte argjentinasi Diego Milito me golin në minutën e 34-t, që i jep një avantazh të madh Interit për të kaluar në finale. Por, në fund Murinjo ka qenë i pakënaqur nga paraqitja e Balotelit, duke e kritikuar publikisht për sjelljen e tij në fushë dhe në momentin e zëvendësimit. “Mario në fushën e lojës ka edhe detyra mbrojtëse, ai e di mirë këtë, - deklaroi Murinjo”. Por, nuk ishte vetëm ky shkaku i inatosjes së trajnerit të Interit. Gjatë ndeshjes ai i bëri thirrje disa herë futbollistit të kthehej në mbrojtje gjatë aksioneve të Fiorentinës, por ai nuk i është bindur, madje ka lëshuar edhe ndonjë fjalë nëpër dhëmbë. Murinjo më pas e ka zëvendësuar me Tiago Motën, por Baloteli në momentin e daljes ka bërë një gjest të papranueshëm dhe nuk ka qëndruar fare në pankinë. “Në skemat e mia, çdo futbollist duhet të mbrojë”, ka deklaruar Murinjo. “Zëvendësimet i vendos unë jo Baloteli, dhe nëse ai është zemëruar, ky është problem i tiji. Në fushë kisha nevojë për më shumë vazhdimësi dhe Milito e Pandev janë më të zgjuar për të mbajtur topin”, shtoi trajneri portugez. Pas kësaj, për Balotelin masa e parë pritet të jetë përjashtimi nga skuadra për takimin e së dielës kundër Kaljarit. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›