E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli ndryshon masën për Mukën, pezullim 6 ndeshje

TIRANE- Komisioni i Apelit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka ulur nga 8 ndeshje pezullim në 6 dënimin për kapitenin e Tiranës Devi Muka. Vendimi është dhënë për aktet e dhunës në fund të derbit Tirana-Dinamo të datës 25 janar, ku Muka goditi lojtarin e ekipit kundërshtar Elis Bakajn. Apeli ka vendosur gjithashtu që të lërë në fuqi masën e gjobës prej 100 mijë lekësh për të. Ndërkohë, ky Komision ka lënë në fuqi dy dënimet e tjera të dhëna për klubin Tirana, atë për trajnerin Alban Tafaj si edhe për dënimin e fushës dhe të klubit me gjobë. Kështu, Tafaj do të jetë një vit i pezulluar nga drejtimi i skuadrës, ndërsa bardheblutë do të luajnë 4 ndeshje pa tifozë dhe do të paguajë një gjobë prej 300 mijë lekësh për mosmarrje masash organizative. Derbi Tirana-Dinamo riktheu skenat e dhunshme në futbollin shqiptar, që në atë takim prekën edhe stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Ndeshja u fitua nga Dinamo 2-1, ndërsa arbitri pati nxjerrë 4 kartona të kuq, 3 për Tiranën dhe një për blutë. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›