Inter shpallet kampioni i ri i Europës

Interi është shpallur kampion i Evropës për herë të tretë në historinë e vet. Zikaltërit kanë triumfuar 2-0 në Santiago Bernabeu përballë Bajernit, duke ngritur trofeun më të rëndësishëm europian për klube. Në një finale të dominuar, skuadra e Zhoze Murinjos ka mbajtur lart emrin e Italisë, e cila do të vazhdojë të ketë 4 skuadra në Champions dhe jo tre. Në Madrid, në kryeqendrën e futbollit botëror, heroi i zikaltërve ishte Diego Milito me dy golat e tij. Argjentinasi shënoi nga një gol për çdo pjesë, njëri më i bukur se tjetri, duke i dhënë kurorën e kampiones së Evropës skuadrës italiane. Një festë e çmendur ka nisur në stadium nga fansat e Interit, që e prisnin prej 45 vjetësh një moment të tillë. Bajerni i Mynihut nuk ka mundur t'i bëjë dot ballë skuadrës italiane, e cila u tregua perfekte përgjatë 90 minutave.