Interesant edhe nga bankinat

Pas një pushimi goxha të gjatë, të premten do të fillojnë garat e stinorit pranveror të Superligës së Kosovës në futboll.
Pjesa e dytë e sezonit pritet të jetë interesante ndoshta si asnjëherë më parë, për faktin se sivjet shumë skuadra e synojnë titullin e kampionit, derisa shumë të tjera objektiv e kanë mbetjen në elitën e futbollit kosovar.
Për këtë arsye klubet ishin shumë aktive gjatë dimrit duke bërë përforcime të shumta.
Madje, shtatë nga dymbëdhjetë klube të Superligës janë munduar t’i përforcojnë edhe shtabet teknike të tyre me trajnerë që kanë emër në futbollin kosovar.
Edhe pse sezonin vjeshtor e përmbylli si lider i renditjes tabelore me Ramiz Krasniqin, Prishtina ka vendosur që sezonin pranveror ta nisë me trajnerin gjerman Wolfgang Jerat.
Ndërkohë, edhe kampioni në fuqi, Hysi sezonin pranveror do ta fillojë me trajnerin e njohur Afrim Tovërlanin. Drenica do të udhëhiqet nga Bylbyl Sokoli, kurse Lepenci nga Muharrem Sahiti. Gjilani gjatë dimrit ka angazhuar Sallah Sherifin, sikurse KEK-u që angazhoi Fetah Veliun e Liria Skënder Shëngylin.
Këto ndryshime të bëra në shtabet teknike të shumicës së klubeve pritet ta bëjnë akoma më interesant sezonin pranveror. Kështu thonë edhe njohësit e futbollit kosovar.
“Ata trajnerë janë të dëshmuar, si Bylbyl Sokoli, Afrim Tovërlani, Skënder Shëngyli e kështu me radhë. Sigurisht se do ta kenë një motiv më të madh për punë, pasi kanë pasur kohë për t’u adaptuar në ekipet e reja të tyre dhe kanë zhvilluar edhe nga disa faza përgatitore”, ka deklaruar për Express strategu i njohur, Hysni Maxhuni.
Njëjtë shprehet edhe strategu mitrovicas Gani Sejdiu. “Nëse organizimi i klubit është në rregull, 70 apo 80 për qind e suksesit apo dështimit të tij i takon trajnerit. Mirëpo, këta janë trajnerë të dëshmuar dhe klubet që i kanë angazhuar mund të përfitojnë nga ta. Kështu mund të përfitojë edhe liga në përgjithësi, sepse ata mund ta rrisin cilësinë”, u shpreh Sejdiu.
Edhe prizrenasi Erdogan Celina beson se ata trajnerë do t’i japin ‘infuzion’ shtesë sezonit pranveror. “Ata janë trajnerë kualitativë dhe shumë ambiciozë. Kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’i komponuar ekipet e tyre, pasi kanë zhvilluar shumë përgatitje e po ashtu edhe ndeshje kontrolluese. Kështu që nuk kanë arsye për t’u ankuar, andaj besoj se do të japin rezultate në ngritjen e rivaliteti e kualitetit”, pohoi Celina.
Por, sipas tyre, edhe trajnerët e ekipeve tjera do të ndikojnë që kjo pranverë të jetë më interesante, siç është Rafet Prekazi i Trepçës ‘89, Ajet Shosholli i Vëllaznimit, Bekim Isufi i Dritës, Valdet Shoshi i Besës e Fidaim Haxhiu i Trepçës.
Ndërkohë, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së të mërkurën e ka aprovuar propozim-vendimin e Shoqatës së Trajnerëve që gjithë kryetrajnerët, trajnerët dhe trajnerët e portierëve të gjitha grupmoshave të pajisen me licenca pune nga shtëpia e futbollit kosovar.
15 vjeç, profesionistë
Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), në mbledhjen e vet të mbajtur të mërkurën, ka vendosur që mosha minimale për të nënshkruar kontrata profesioniste për futbollistë të jetë 15 vjeç.
Këtë vendim, zyrtarët e FFK-së thonë se e kanë marrë në përputhje me Ligjin e Punës të Kosovës, por edhe me rregulloret e FIFA-s dhe UEFA-s.
“Deri më tani mosha minimale tek ne ka qenë 16 vjeç. Por, me Ligjin e ri të Punës e kemi ndryshuar dhe mosha minimale do të jetë 15 vjeç. Këtë rregull e kanë shumë shtete, si Serbia, Mali i Zi, etj. Por, transferet ndërkombëtare nuk lejohen të bëhen nën moshën 18 vjeç”, u shpreh sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.