E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani e shijon rikthimin në Siena

Erjon Bogdani po tregohet vendimtar, në momentet më vështira të sezonit për Sienën. Futbollisti shqiptar u rikthye në janar tek bardh e zinjtë, ku kishte luajtur edhe më parë. Në dy ndeshje si titullar, ‘Bogu’ ka realizuar dy gola, por gjëja më e rëndësishme për të është fitorja e ekipit.

“Jam i lumtur për golat e mi, por më i rëndësishëm është rezultati i ekipit. Fitoret ndaj Palermos e Cagliarit na kanë dhënë optimizëm”, theksoi përfaqësuesi shqiptar. “Jemi të gjithë të gatshëm për ta dhënë maksimumin, më pas zgjedhjet i përkasin trajnerit.

Konkurrenca nuk më preokupon. Nuk kam ardhur këtu për të luajtur gjithsesi, por do të mundohem ta vë trajnerin në presion”, shtoi ai.

Ai shton se rikthimi në Siena ia ka shtuar dëshirën për të luajtur. Bogdani e falënderon edhe trajnerin Giuseppe Sannino, i cili ia dha besimin, të cilin deri tash ia shpagoi. 35 vjeçari në të kaluarën ka luajtur edhe në Chievo, Livorno e Cesena.

Futbollisti tiranas do ta kërkojë golin e tretë në fanellën e Sienës të dielën, pikërisht kundër ekipit të tij të fundit, Cesena, e cila e liroi gjatë dimrit pasi që nuk llogariste në të. Bogdani nuk e ka ndërmend të hakmerret ndaj Cesenës, por thotë se do ta japë maksimumin për ekipin e tij të ri (vjetër) në këtë duel.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›