E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interesim i madh për specializime

Ministria e Shëndetësisë shprehet e inkurajuar nga numri i madh i kandidatëve, të cilët kanë marrë pjesë në konkursin e specializimeve, të shpallur nga kjo ministri, ndërsa në veçanti MSH është e inkurajuar nga kandidaturat cilësore.

Dy javë më parë, MSH ka hapur procesin e intervistimit të kandidatëve pas pranimit të aplikacioneve, një proces ky që do të vazhdojë edhe gjatë javës që vjen me intervistimin e kandidatëve për lëminë e Stomatologjisë për ta përmbyllur kështu këtë proces të rëndësishëm dhe të përcjellë me një interesim të madh nga kandidatët.

Kriteret e hartuara për kërkesat dhe ndarjen e vendeve për specializim ishin të bazuara në numrin aktual të mjekëve specialistë, sipas institucioneve spitalore, numrin e shtretërve aktualë, raportin aktual shtrat spitalor/mjek, ngritjen dhe funksionalizmin e shërbimeve të reja (spitali i Mitrovicës), profilet deficitare, numrin e mjekëve në specializim, interesin e institucioneve te veçanta, kapacitetet ekzistuese për trajnimin e mjekëve në specializim dhe buxhetin ekzistues për edukim specialistik.

MSH rikujton se aktualisht kuadri ekzistues specialistik në Kosovë numëron 2.048 specialistë, prej të cilëve në Kujdesin Terciar Shëndetësor janë 557, në Kujdesin Dytësor Shëndetësor 552, kurse në Kujdesin Primar Shëndetësor 975. Ndërkaq, mbi 560 kandidatë të tjerë, janë duke vijuar aktualisht specializimet në fusha të ndryshme mjekësore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›