Ish-drejtori i 'A.Airlines' Serjani, dënim me kusht
Aksidentoi me vdekje 19- vjeçaren, plagosi tre të tjerë. Përfundon gjyqi për ngjarjen që tërhoqi vëmendjen e autoriteteve britanike
Dënim qesharak për ngjarjen që ngjalli replikat me ministrin Lulzim Basha
TIRANË - Pas 5 seancash gjyqësore, Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, dha dënimin për ish-drejtorin e kompanisë ajrore "Albanian Airlines" Ylli Serjani. Aksidenti që ai shkaktoi, solli vdekjen e 19 -vjeçares Jonida Mahmuti dhe plagosjen e tre personave të tjerë. Ngjarja u vu në qendër të vëmendjes disa ditë më parë në dy gazetat më të mëdha të vendit "Shekulli" dhe "Panorama" pas shkëmbimit të disa replikave mes shkrimtarit Rudolf Marku, ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe drejtorit të gazetës "Shekulli" Adrian Thano.
Dënimi i gjykatës ka qenë thuajse simbolik. Z.Serjani u dënua me kusht për tre vitet e ardhshme. Kështu, sipas vendimit me nr.385 të firmosur nga treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Ilir Çeliku dhe anëtarët Albert Meçe dhe Arjan Aliaj, i pandehuri Serjani, edhe pse gjendet fajtor për kryerjen e veprës penale përfitoi nga rrethanat lehtësuese karshi personit të tij, shoqëruar me urdhërimin që i pandehuri Serjani të mos drejtojë automjete për tre vitet e ardhshme.
Ndërkohë, prokurori i çështjes, Petrit Hysi, gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare kërkoi nga togat e zeza që i pandehuri Serjani të deklarohet fajtor për kryerjen e veprës penale por dënimin e tij me kusht për 2 vitet e ardhshme si dhe ndalimin e ngasjes së automjeteve për dy vitet në vazhdim.
Ndërkaq, avokati mbrojtës Petrit Serjani gjatë parashtrimit të pretendimeve përfundimtare, ishte dakord me masën e dënimit të kërkuar nga prokurori i çështjes, si dhe renditi një sërë rrethanash lehtësuese karshi klientit të tij, si qëndrimi pendues për veprën e kryer etj.
Togat e zeza në vendimin e tyre argumentuan si rrethana lehtësuese ndaj të pandehurit Serjani edhe faktin që nuk ka qene i dënuar më parë, rrezikshmëria e pakët e të pandehurit, mosha e tij relativisht e madhe si dhe normalizimin e marrëdhënieve me familjen Koshena. Çuditërisht në vendimin me nr. 385 Gjykata nuk përmend në asnjë rast marrëdhëniet jo të normalizuara me familjarët e viktimës, të cilët kanë depozituar ankesa karshi këtij vendimi në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Presidentit të Republikës, kryeministrisë, Avokatit të Popullit dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe në Shqipëri.
***
Vajza 19- vjeçare jetonte prej vitesh bashkë me familjen në Britani të Madhe ku edhe ishin pajisur me shtetësi angleze. Me datë 20 gusht 2009 rreth orës 4:00 të mëngjesit, vajza e shoqëruar nga kushëriri i babait të saj, shtetasi Artur Koshena dhe dy pjesëtarët e familjes së tij, janë nisur për në aeroportin e Rinasit, pasi do të udhëtonte për në Angli me linjën e orës 6:00 të mëngjesit drejt Londrës.
Në segmentin rrugor Rinas - Mbikalimi i Kthesës së Kasharit, vajza është kujtuar se ka harruar pasaportën në banesë. Në këtë moment makina e tipit "Benz Mercedes" me targë "TR 4012 M" e drejtuar nga shtetasi Artur Koshena kthehet në drejtim të Tiranës por duke ecur shumë ngadalë për të verifikuar edhe njëherë çantat për pasaportën. Në këtë moment me një shpejtësi tej normave të lejuara i pandehuri Serjani me automjetin e tipit "Mercedes-Benz" me targe "TR 7141 L" e ka goditur makinën ku ndodheshin katër personat bashkë me viktimën. Pas kësaj përplasjeje, kanë humbur ndjenjat çifti Koshena dhe viktima 19- vjeçare ndërsa vajza e çiftit ka pësuar vetëm disa dëmtime të lehta. Si pasojë e këtij aksidenti, pak ditë më pas vdiq 19- vjeçarja Jonida Mahmuti.
Në një opinion të shkrimtarit Rudolf Marku, fqinj me familjen e viktimës në Angli, denoncohej disa ditë më parë fakti që ministri Basha kishte shkuar për vizitë në dhomën ku ndodhej i pandehuri Ylli Serjani në Spitalin Ushtarak. Për këtë ngjarje, është interesuar edhe vetë Ambasada Angleze në vendin tonë si dhe deputetja e Partisë Liberale të Anglisë Suzan Kramer, që i ka kërkuar Ministrisë së Jashtme shqiptare të dhëna për ngjarjen.
REAGIMI
Prindërit e Jonidës: Polici-Prokurori-Gjykatë, fshehën të vërtetën
TIRANË - Babai dhe nëna e 19- vjeçares Jonida Mahmuti akuzojnë policinë për fshehje të akt-ekspertizës së ngjarjes, prokurorin për fshehje të provave dhe gjykatën për vendim qesharak.
Sipas çiftit Ilir dhe Manjola Mahmuti, që në momentin e ngjarjes të gjitha strukturat shtetërore kanë punuar në favor të të pandehurit Ylli Serjani, duke ndikuar që mos të dënohet.
"Vajza ishte për pushime në Shqipëri dhe ditën që po kthehej për në Angli, makina e tyre goditet nga shtetasi Ylli Serjani në atë kohë drejtori i kompanisë ajrore "Albanian Airlines". Makina ku ndodhej goca jonë ecte shumë ngadalë anash rrugës dhe me katër sinjalet e ndezur për të verifikuar nëse e kishte pasaporten në çantë apo e kishin harruar në banesë. Në atë moment me një shpejtësi mbi 220 km/h i përplas shtetasi Serjani i cili, kemi mësuar se po kthehej nga një festë pasi kishe konsumuar edhe alkool. Policia që në këtë moment ka fshehur akt-ekspertimin e shpejtësisë, prokuroria dhe policia më pas nuk i kanë kryer edhe akt-ekspertimin e konsumimit të alkoolit. Që në momentin e përplasjes vajza ka gjetur vdekjen, por janë urdhëruar mjekët që ta mbajnë me aparatura vajzën që të mos vdiste menjëherë. Në kohën që ndodheshim në Spital i pandehuri është vizituar nga Lulëzim Basha. Edhe pas vdekjes së vajzës kemi pas shumë presione dhe të vështirë edhe punën e dërgimit të trupit të vajzës në Angli për ta varrosur si dhe kemi marrë presione e kërcënime të vazhdueshme. Gjithashtu, edhe para Gjykatës, prokurori në vend qe të mbronte të drejtat e viktimës mbronte interesat e të pandehurit, ku bashkë me trupin gjykues dhanë një vendim qesharak"- tha për "Shekullin" nëna e Jonidës.