E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i Izolimit

Një tufë njerëzish, të lodhur nga jeta me fytyra të ngrysura, qëndrojnë çdo ditë të rreshtuar para ambasadave të shteteve evropiane në Prishtinë. Me vete sjellin një krah dokumente, shumë durim dhe dëgjueshmëri. Me një qëllim – të fitojnë lirinë e udhëtimit.

Për këtë kosovarët çdo vit paguajnë miliona euro. Vetëm në Ambasadën gjermane dhe zvicerane, varësisht nga sezoni, brenda një dite aplikojnë nga 160 deri në 300 kosovarë për vizë. Shumë nga ta dalin kokëposhtë nga dyert e ambasadave. Ata janë humbës të dyfishtë. Në njërën anë nuk kanë marrë vizën dhe në anën tjetër ata kanë investuar qindra euro në një ëndërr që vritet çdo ditë nga shtetet që promovojnë aq shumë lëvizjen e lirë.

Christoph Deißenberge është zyrtar për politikë, media, protokoll dhe kulturë në Ambasadën gjermane në Prishtinë. “Numri i aplikuesve ndryshon gjatë vitit, kështu gjatë një dite kemi nga 80 deri në 150 kërkesa. Derisa pagesa për shërbimet e vizës është 35 euro”, thotë ai për Express.

Në Ambasadën e Zvicrës janë rreshtat po aq të gjata sa në atë gjermane. Urs P. Lustenberger, konsull dhe shefi për çështje konsullore dhe administratë, thotë për Express se numri i aplikuese ndryshon gjatë vitit. “Varësisht nga sezoni i vitit, ambasada jonë merr çdo ditë nga 100 deri në 150 aplikacione për viza. Shërbimet kushtojnë 60 euro, derisa fëmijët nën moshën 6 vjeçare janë të liruar nga pagesa”, pohon Lustenberger.

Ndërkohë, në Ambasadën e Austrisë janë rreth 10 aplikime në ditë, ngase ambasada gjendet në Maqedoni. Por, kjo pritet të ndryshojë shumë shpejt. Numri i aplikimeve do të rritet njëshëm, pasi që nga 4 prilli, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të aplikojnë për këtë shtet edhe në Prishtinë. Para ambasadave të Greqisë, Francës, Italisë, Belgjikës, Holandës dhe Hungarisë po ashtu presin rende të gjata të kosovarëve, që aplikojnë për marrjen e vizave. Edhe në këto ambasada taksat janë të përafërta me atë gjermane dhe zvicerane.

Derisa për atë britanike dhe amerikane nuk ka shifra të sakta, por këto shtete dallohen për nga taksat e larta që qytetarët duhet t’i paguajnë për shërbime të ambasadës. Ndërkaq, për të aplikuar për një vizë Shengen duhet të paguhen nga 35 deri në 60 euro për shërbime të ambasadave, për sigurim në udhëtim nga 30 deri në 120 euro, për fotografi 5 euro, për certifikatë familjare 2 euro, certifikatë të lindjes 1 euro etj. Kjo nuk është e tëra. Ditët e fundit edhe banka ProCredit ka vendosur të përfitojë nga rreshtat e gjatë para ambasadave të shteteve evropiane. Tash e tutje, klientët e kësaj banke që donë të marrin pasqyrën e llogarisë për tre ose gjashtë muajt e fundit (Visa Confirmation) duhet të paguajnë 2.5 euro.

Për këtë, drejtorit gjeneral të ProCredit Bankës - Philip Sigwart ka një shpjegim.
“Në përgjithësi politika e ProCredit Bank-ës është të aplikojë tarifa të drejta për të gjitha shërbimet bankare. Në të kaluarën kemi ofruar shërbimin e “ Konfirmimit të vizave” falas, por tani kemi vendosur që të aplikohet një tarifë e vogël për të mbuluar shpenzimet në lidhje me këtë shërbim”, thotë ai për Express.

Sipas Sigwart, kur bëhet fjalë për shërbimin e konfirmimit të vizave, përveç kopjes që duhet dhënë klientit, kjo bankë gjithashtu përgjigjet në telefonata të ndryshme të ambasadave dhe merr përgjegjësinë e konfirmimit të të dhënave direkt në ambasadat ku klienti ka aplikuar për vizë. Krejt kjo i kushton klientit të kësaj banke 2.5 euro.

E ata që kanë fat të marrin vizën duhet të përkujdesen edhe për biletat e udhëtimit. Mundësia për të udhëtuar me mjete alternative, përveç aeroplanit, është shumë e vogël, ngase Kosova është vendi më i izoluar në botë. E ata që udhëtojnë me aeroplan duhet të paguajnë bileta nga 280 euro kthyese deri në 800 euro, varësisht në cilat vende të Evropës udhëtojnë. Nëse mblidhen këto të gjitha, del që kosovarët shpenzojnë miliona euro në vit për të fituar lirinë e premtuar.

Safet Gerxhaliu, njohës i çështjeve ekonomike dhe nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se vetëm përgatitja e dokumentacionit për aplikim u kushton qytetarëve dhe komunitetit të biznesit deri në 400 euro. “Kur kemi parasysh nivelin e zhvillimit ekonomik të Kosovën dhe krizën sociale, e cila rëndon dhe këto shpenzime. Pastaj nuk janë të sigurt për marrjen e vizave. Është një situatë që kërkon të laburohet”, vlerëson Gërxhaliu.

Shpëtimi nga kjo situatë, sipas Gërxhaliut, është liberalizimi i vizave edhe për Kosovën. Në këtë periudhë, ai kërkon që të paktën të hartohet pyetësori për Kosovën. Por, në mungesë të liberalizimit të vizave, taksave të shtrenjta për vizë, procedurat burokratike, sipas tij, kanë rritur korrupsionin, kontrabandën, por shitblerjen e vizave Shengen.

“E tëra kjo i jep hapësirë rritjes së korrupsionit, kontrabandimit, por kuptohet edhe ndoshta shitja e vizave”, thekson ai. Pavarësisht kësaj, Kosova edhe më tutje mbetet vendi më i izoluar në botë. Kështu do të mbetet edhe për disa vite, derisa shtetet fqinje janë liruar nga varësia e vizave Shengen.

Kosovarët duhet t’i durojnë edhe një apo në dy vjet kriteret e ashpra dhe pritjet pa fund para ambasadave evropiane, për të marrë një vizë Shengen. 50 kriteret e përcaktuara nga BE-ja nga dita në ditë po tkurren. Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme më herët kanë paralajmëruar se viti 2010 do të jetë përcaktues për përmbushjen e kritereve të BE-së. Kjo nuk nënkupton vetëm lëshimin e pasaportave biometrike, por edhe forcimi i doganave, luftimi i korrupsionit, luftimi i krimit të organizuar e shumë kritere të tjera. Në këtë projekt do të përfshihen shumica e ministrive të Qeverisë së Kosovës, Komisioni Evropian, EULEX-i dhe shoqëria civile.

Ku mund të shkojë një kosovar pa vizë?
Shqipëri
Maqedoni
Mal të Zi
Turqi dhe
Haiti

Ato që duhet të bëni para se të aplikoni për një vizë Shengen:
Në kuadër të paraqitjes personale duhet të parashtrohen dokumentet vijuese:

- Dy formularë të plotësuar tërësisht me shkronja të shtypit apo makinë shkrimi në gjuhën gjermane apo atë angleze dhe të nënshkruara nga vetë aplikuesi
- Tri fotografi biometrike të pasaportës, jo më të vjetra se 6 muaj
- Pasaporta valide edhe për së paku 6 muaj dhe një kopje e faqes së parë ku ndodhet fotografia
- Kopje të vizave të mëparshme (nëse ekzistojnë)
- Fletëgarancion origjinal ose të parashtrohet dëshmia mbi të ardhura të mjaftueshme të vetë aplikuesit
- Sigurimi shëndetësor për kohën e aplikuar të vizitës me një shumë mbuluese prej së paku 30.000 EURO e cila mbulon kthim në rast sëmundjeje
- Kontrata e punës dhe vërtetimi i pushimit vjetor në origjinal me përkthim, vërtetim i tatimit mbi të ardhurat personale të lëshuar nga UNMIK-u; pasqyrat e kontove për 6 muajt e fundit; për pronarët e ndërmarrje private: regjistrimi i firmës, vërtetim nga organi tatimor mbi tatimin e paguar dhe të dhënat mbi bashkëpunëtorët; pasqyrat e kontove për 6 muajt e fundit; për nxënës dhe studentë: vërtetim i shkollës ose fakultetit me përkthim dhe Index; për të papunë dhe pensionistë: dëshmi mbi sigurimin financiar të jetesës në Kosovë për 6 muajt e fundit (p.sh. vendimi mbi pension, pasqyra e kontos) si dhe dëshmia e pasurisë së paluajtshme në Kosovë e cila merret në zyrën kadastrale
- Certifikata familjare (jo më të vjetra se 6 muaj)
- Certifikata martesore (jo më të vjetra se 6 muaj, vetëm për të martuarit)
- Fletë-informacionin

Të gjitha dokumentet duhet të dorëzohen në origjinal dhe kopje bardh e zi.
Pranohen vetëm përkthimet nga përkthyes gjyqësorë. Kompletimi i dokumenteve nuk shpie automatikisht në dhënien e vizës.
Me rastin e refuzimit të dhënies së vizës – për çfarëdo arsyeje refuzimi - taksa e paguar nuk kthehet. Në raste të veçanta, dhënia e vizës mund të kushtëzohet edhe me sjelljen e dokumenteve të tjera shtesë.
Por, edhe pas këtyre, nuk jeni të sigurt për marrjen e vizës!

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›