Interi, festë me polemika pas pankartës për Totin
MILANO- Interi fitoi titullin e 18-të në historinë e tij pas fitores 1-0 me Sienën, megjithatë e ardhmja e Zhoze Murinjos duket ajo që shqetëson më shumë tifozët zikaltër. Portugezi shihet gjithnjë e më pranë Realit të Madridit dhe për këtë nuk ka mjaftuar as dashuria e shprehur nga tifozët e Interit në takimin me Sienën. Për Murinjon, ky ishte titulli i dytë radhazi në Itali, ndërsa pas takimit në Siena ai la të hapur gjithçka përsa i përket të ardhmes, duke thënë se do të vendosë vetëm pas finales së Madridit ndaj Bajernit të Mynihut. Titulli i fituar në Siena ishte një nga më të bukurit në vitet e fundit për zikaltërit, të cilët u pritën si heronj në kthimin e tyre në Milano. Festa e tifozëve dhe lojtarëve zikaltër ka vazhduar deri në 3 të mëngjesit, teksa në Piazza Duomo të Milanos ishin grumbulluar mbi 50 mijë fansë. Të gjithë kanë kënduar dhe përshëndetur futbollistët, për sezonin madhështor në të cilin janë fituar 2 trofe dhe të shtunën ky numër mund të shkojë në tre. Në autobusin e zbuluar mungonte trajneri Murinjo dhe sulmuesi Mario Baloteli, ndërkohë që një pankartë e varur për Françesko Totin ka shkaktuar polemika të mëdha. Fraza përbënte një fyerje të rëndë për kapitenin e Romës, gjë që ka sjellë edhe reagimin e trajnerit Klaudio Ranieri, i cili kërkoi dënimin e lojtarëve që e kanë ideuar.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)