“Messi, më i mirë se Ronaldo”

Dyshja e yjeve realizuan nga një gol secili në fitoren e Barcelonës ndaj Realit 3-2 në duelin e parë të Superkupës së Spanjës, të zhvilluar të enjten në Nou Camp. Por, Popescu nuk ka dyshim se Messi është futbollist më i mirë se Ronaldo.
“Ju duhet të jeni tifoz i zjarrtë i Realit për të menduar se Cristiano është më i mirë se Messi”, tha ish reprezentuesi rumun për të përditshmen sportive spanjolle AS. “Hiqeni këtë aleancë dhe nuk ka krahasim mes tyre. Është Messi e pastaj vijnë të tjerët. Cristiano është futbollist i mirë, por nuk ka kualitet të fitojë i vetëm një ndeshje, kurse Messi e bën këtë”, theksoi ai.
Ndikimi i tashmë ish trajnerit të Barcelonës, Pep Guardiola në Nou Camp ka qenë i jashtëzakonshëm dhe Popescu beson se as vetë Guardiola vështirë se ka pritur të arrijë sukses të tillë duke fituar 14 tituj për katër vite qëndrimi në detyrë. “Nuk mendoj se as ai e ka paramenduar të arrijë aq shumë. Por, ju mund të thoni se ai ishte lider, person me karakter i lindur dhe rritur në klub”, përfundoi ai.