Armando Sadiku nuk i mjafton Luganos
Armado Sadiku është kthyer përsëri në protagonist për skuadrën e tij në takimin e djeshëm, që Lugano zhvilloi kundër Aarau vendas. Sulmuesi kuqezi ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në minutën e 27-të, duke i dhënë kështu avantazhin ekipit ku aktivizohet. Sfida ka përfunduar me fitoren e Aarau me rezultatin 3-1, duke e bërë të pavlefshëm golin e shënuar nga elbasanasi. Sadiku tashmë është kthyer në një titullar të padiskutueshëm te Lugano. Goli i shënuar në takimin e djeshëm është i pesti në këtë sezon në po kaq ndeshje të luajtura. Në sfidën e zhvilluar javën e kaluar ai shënoi një dopietë duke i dhënë edhe fitoren skuadrës së tij. Mirëpo, në atë të luajtur mbrëmjen e djeshme në transfertë, goli i shënuar prej tij nuk i ka mjaftuar Luganos për të marrë një rezultat pozitiv. Megjithatë, forma që bomberi shqiptar po tregon në Kategorinë e Dytë në Zvicër është për tu admiruar, pasi tashmë ai është kthyer në një i përhershëm në shënimin e golave për ekipin, në të cilin u transferua gjatë kësaj merkatoje.
Mërgim Mavraj Kapiteni i skuadrës gjermane të Greuther Furth, kosovari Mërgim Mavraj është shpallur lojtari më i mirë për ekipin e tij në humbjen 0-3 që debutuesit e Bundesligës kanë pësuar në fushën e tyre kundër Bajern Mynih. Lojtari i Përfaqësueses sonë është vlerësuar me notën 3 nga 5 që ishte ai maksimal, pas performancës së më mirë që tregoi kundër bavarezëve në takimin e djeshëm.
Lorik Cana Kapiteni i Kombëtares kuqezi, që aktivizohet me Lazion, pritet të jetë titullar në takimin e sotëm kundër Atalantës në javën e parë të Serisë A. Cana do të aktivizohet në mesin e fushës për skuadrën e drejtuar nga trajneri Petkoviç në transfertën e Bergamos.
Saimir Ujkani Gardiani i portës së Palermos dhe i Kombëtares sonë do të jetë në formacionin bazë për skuadrën e tij në takimin që siçilianët do të luajnë në stadiumin e tyre kundër Napolit. Me interes pritet paraqitja e tij e parë në kuadratin e portës së Palermos që pas ardhjes së tij nga Novara, me të cilën u aktivizua vitin e kaluar.
Elis Bakaj Mesfushori që luan në Ukrainë për Çornomorets ka qenë titullar në humbjen që skuadra e tij pësoi në transfertë kundër Dinamos së Kievit me rezultatin 2-0. Fantazisti kuqezi u aktivizua për 81 minuta, përpara se të zëvendësohej nga trajneri, pa mundur të bëjë asgjë për të ndryshuar rezultatin edhe pse përballë kishte ekipin më me emër në futbollin Ukrainas.
