E Diel, 1 Nëntor 2026

Interi fiton, por dëmtohet Shnajder



Interi rimerr kreun e renditjes së Serisë A për të paktën 24 orë, me dy pikë diferencë nga Roma dhe fillon të mendojë për sfidën e së mërkurës në Ligën e Kampioneve kundër Barcelonës. Në stadiumin “San Siro”, skuadra e drejtuar nga Zhoze Murinjo e nis takimin mes drithërimave, sepse Tiribokit i mjaftojnë vetëm pesë minuta për të mposhtuar Hulio Sezarin. Por kampionëve në fuqi të Italisë u ishte nevojitur një gol për t’u zgjuar nga gjumi dhe për të sulmuar kundërshtarin. I përhershmi Diego Milito, i cili këtë sfidë pritej ta niste nga bankina, barazon në minutën e 24-t. Ky gol i pret gjunjët Atalantës dhe zikaltrit dominojnë gjysmëfushën rivale. Kalojnë vetëm 10 minuta dhe të zotët e shtëpisë dyfishojnë shifrat duke kaluar në avantazh me mesfushorin ganez, Sulej Muntari. Në pjesën e dytë, Atalanta mundohet të reagojë, por mbrojtja e Interit është e padepërtueshme. Në këtë mënyrë, mendon Kristian Kivu për të mbyllur ndeshjen me një goditje nga 30 metra, e cila përfundon në rrjetë. Rumuni është më i lumtur se kurrë për golin e tij të parë këtë sezon pas operacionit në kokë dhe përgëzohet nga e gjithë skuadra.
Shnajderi – Pavarësisht fitores, ka menduar Shnajder të prishë festën e Interit. Mesfushori holandez nuk ka zbritur në fushën e lojës në pjesën e dytë si rrjedhojë e një dëmtimi muskulor, i cili duket të jetë serioz, ashtu siç kanë konfirmuar edhe analizat e bëra pas takimit. Gjendja fizike e Shnajderit do të vlerësohet gjatë 48 orëve në vazhdim dhe në këtë mënyrë, prezenca e tij në fushë kundër Barcelonës është seriozisht në dyshim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›