E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të pathënat e jetës me Rikardin



SONILA MEROLLI

Në rininë e saj të hershme, ajo nuk ëndërronte Tiranën, kinemanë dhe as që e kishte menduar se bashkëshorti i saj, gjendej pikërisht brenda atij ambienti. Përkundrazi, e rritur në qytetin e Pogradecit, veten e përfytyronte në një profesion të sigurt, e lumtur me ato kënaqësitë e vogla të jetës, siç ishte rënia e dëborës. Për Marjeta Ljarjen çdo gjë që i ka ndodhur në jetë është shenjë e destinit, pa stërhollime të mëtejshme. Ashtu pa fjalë, pa rezistencë, lindi natyrshëm ndjenja e dashurisë ndaj Rikardit, më pas erdhën rolet e shumta, në të njëjtën kohë u shtua familja me dy anëtarë, Lorenën dhe Leandron. Më tej jeta rrodhi normalisht, në dy degëzimet: një sërë rolesh në teatër dhe filmografi, ndërsa në familjen e saj, tanimë ka ardhur Perla, mbesa e vogël e çiftit Ljarja. Në një rrëfim të rrallë, Marjeta kujton nga njohja me bashkëshortin, dasma kur e përcolli gjithë Pogradeci, për t’u rikthyer tek jeta e tanishme...

Ju jeni njohur dhe dashuruar me bashkëshortin tuaj, Rikardin gjatë xhirimeve të filmit, “Në pyjet me dëborë ka jetë”. Si ju vjen jehona e kujtimeve nga ajo kohë?
Po t’i rikthehem atyre viteve nevojitet një roman më vete. Ka qenë një nga ato dashuritë pa fjalë, pa komente, pa rezistencë. Shikimet që më hidhte Rikardi dukej sikur më thoshin: “Ke lindur për mua dhe do të jesh e imja!”. Duke qenë se ndjenja jonë lindi natyrshëm, opinionit iu duk një çudi, sesi një aktor i cili kishte një emër, u dashurua kaq shumë pas një vajze, që si të thuash, nuk i përkiste plotësisht atij ambienti. Kësisoj kërshëria nga ana e tyre, se kush ishte fatlumja ishte e madhe.
Më pas si rrodhën ngjarjet?
Pasi mbaruam xhirimet e filmit, fillova filmin tjetër, ‘Vajzat me kordele të kuqe’. Ndërkohë, hezitoja të merrja një hap përpara në lidhjen tonë. Thosha ta mbaroj edhe këtë film, por në të vërtetë nuk e përballoja dot shpalljen publike, emocionet se do merresha me këto normat, që edhe sot i kam bezdi. Ceremonitë, të qenit publik, të vishesh, të zbukurohesh për ata që të shohin... Ndërsa unë kam preferuar të jem e lirë dhe e qetë me veten time, të bëj diçka për veten time. Dhe dashurinë ndaj njëri-tjetrit e kemi shijuar jashtë publikut. Nuk kemi qenë çift i ekranit, i xhiros, por kemi shijuar lidhjen tonë të tërhequr.
Përmendët drojën ndaj ceremonive. Ju vetë e keni veshur vellon e bardhë? Po dasma?
Dasmën e kemi bërë shumë të bukur. Fustanin e kam qëndisur vetë, së bashku me një aktore të Estradës. E ruaj akoma. Lule të bëra vetë, grimi po ashtu. Ka qenë një ditë sa e gëzuar, aq edhe e trishtuar. Unë po lija pas, nënën e sëmurë, katër vëllezër... Asnjëri nuk më shihte në sy. Dhe Rikardi ka qarë deri majë Qafëthanës. Ka qenë 28 tetor dhe për çudi ka rënë dëborë, sikur ta dinte natyra që unë e pëlqeja jashtë mase dhe ashtu më përcolli qyteti im. Kur mbërrita në Tiranë, binte shi dhe ngado thoshin se ishte mbarësi. Asokohe ndihej gëzimi i madh i ceremonisë, sepse mendohej një jetë deri në fund bashkë, ndërsa tani është ndryshe.
Bashkëshorti juaj ka pasur gjithnjë kolege të bukura? Keni qenë xheloze?
Nuk kam qenë xheloze, por e papërgatitur për një ambient, ku karakteret janë nga më të ndryshmet. Aq më tepër për një vajzë të brishtë, që vinte nga një qytet i vogël.
Shumë shpejt ju u bëtë e “preferuara” e regjisorëve. Ishte fat, talent, apo këmbëngulje?
Kur gjërat të vinë pa u menduar, janë më të lirshme. Kështu që nuk ka qenë një ‘lodhje’ nga ana ime. S’e kam ëndërruar kurrë Tiranën, kinemanë, aq më pak të interpretoja me aktorë të mëdhenj të skenës, por erdhën ashtu natyrshëm në jetën time dhe i pranova si shenjë e destinit. Kur të vinë këto dhurata nga fati, gjen kohë t’i shijosh dhe thua kjo është jeta ime.
Përse nuk interpretuat më së bashku?
Ka qenë një zgjidhje e të dyve. Aktrimi ka një pjesë që kur shkon në prova, duhet të harrosh çfarë ke lënë në shtëpi. Dhe kur interpreton me bashkëshortin nuk i largohesh marrëdhënies së zakonshme të çiftit. Ndërsa, kur je me një partner, që nuk të lidh gjë tjetër, është më komode të krijosh.
Në çift, ju nuk jeni thjesht bashkëshortë, por edhe kolegë. Sa kritik jeni karshi njëri-tjetrit?
Gjithnjë jemi përpjekur të jemi modestë në krijimet tona. Nuk jemi nga ata që entuziazmohemi në çift, por mundohemi me biseda të konsultohemi. Rikardi është një bashkëbisedues shumë i mirë. Kemi të njëjtën shije në mënyrën e interpretimit dhe në kërkesa, si të thuash, kemi arritur të përpuqemi dhe dimë t’ia krijojmë qetësinë sho-shoqit. Pa dashje emrat bashkohen, në kujtesën e spektatorit kur është Rikardi është edhe Marjeta. Vështirë të na identifikojnë ndaras.
Përputhja juaj në shije dhe kërkesa është konsoliduar gjatë viteve, apo gjatë jetesës së përbashkët?
Jam ndikuar shumë nga ai, pasi kur u njohëm, ai ishte një figurë e konsoliduar, madje shpesh bënim shaka në prova... “Kur ti ke qenë student, unë kam qenë në kopsht”, më thosh. Por thelbi i talentit është i lindur. Mund të kesh bashkëshort regjisorin më të madh në botë, nëse nuk të ka dhënë Zoti talent, nuk ka ç’të bëjë bashkëshorti. Kur kam bërë kinoprovën e parë, për herë të parë ndeshesha para një kamere, por më dukej sikur kisha gjithë jetën që gjendesha në fokusin e saj. është një ndjesi e lindur, mund të kesh tërë jetën para kamerës dhe mund të kontraktohesh. Në këtë pikë kishim një gjë të përbashkët. Edhe Rikardi e kishte nisur i lirshëm para kamerës, me një realizëm të thellë.
Zoti Rikard ka bërë dy libra, thuhet se çdo shkrimtar është romantik në jetë. A përligjet kjo thënie në rastin tuaj?
Rikardi bën përjashtim, ai është natyrë e mendimit të thellë, fjala e të cilit peshon. Ndërsa unë, dhe në këtë moshë jetoj me ëndrra. Jam ende fëmijë. Gëzohem me dëborën, e shoh jetën me ngjyra, jam optimiste. Dhe në momentin më të rëndë i fshij lotët dhe qesh.
A jeni nostalgjike?
Pak jetoj me kujtimet e së kaluarës. Edhe kur jam larguar nga skena çdo ditë e kam të gjallë. Nuk është si në profesionet e tjera. është kaq e mbushur jeta me gjëra të tjera. Jam e lumtur me dy fëmijët e mi, Lorenën dhe Leandron dhe tani mbesën time Perlën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›