Elsa Ballauri - Muzeu i historisë sime në breza...
Ani Jaupaj
Për sa kohë jetuam gjatë të mbyllur, rrethuar nga objekte a orendi të vjetra edhe pse rezistuar në kohë, është i justifikueshëm fakti që me të parë të tjera, ndryshe, shumëkush u çlirua nga ato të mëparshmet. Për vite me radhë, pikat e grumbullimit të mbeturinave dyndeshin nga pjesë të vjetëruara dollapësh, karrige prej druri kafe të errët, me mbështetësen që në të shumtën e rasteve i kishte drunjtë e shtrembër. Mobiljet u zëvendësuan sakaq me divanë e kolltukë të rehatshëm, prej të cilëve nuk dilnin më zhurmat e sustave. Me bufe të reja prej nga ishin hequr tashmë dekoret e shisheve të coca-colës, a kukullave një mijë lekëshe. Bashkë me shpëtimin prej tyre, ngelën atje, në kontenierët e mbeturinave, copëza historie të gjithsecilit, pavarësisht kujtimeve të trishta për shkak se kukullën nuk mund ta prekje a ta hiqje kurrsesi nga bufeja. Por revolta e këtyre viteve të para të spastrimit, duket sikur po prek gjithnjë e më shumë nostalgjikët. Aq sa në një muze antikuarësh, ngelen me orë të tëra me një buzëqeshje të paluajtshme, që i kthen mbrapsht në vite të largëta. Natyrisht që këta të fundit ngacmohen vetëm nëse i kanë përpara, ndërsa ka të tjerë, që nuk iu larguan asnjëherë objekteve,e pranë të cilave ishin rritur...
Mania e hershme
Elsa Ballauri kujton jo pak zënka me të ëmën, për shkak të antikuarëve të pafund që çonte përherë në shtëpi. “Për çfarë të duhen të gjitha këto?!”. Përgjigjja qetësuese e Elsës se një ditë patjetër do t’i hynin në punë, edhe pse vonoi pak, rezultoi e vërtetë. Sepse brenda vetes, gjithnjë pat menduar t’i ekspozonte ‘thesaret’ e saj në një muze, vetëm se për shkak të rrëmujës që i shkaktojnë gjithë gjërat, me të cilat merret, gjithnjë e kishte shtyrë. Duhej të vinte çmimi ‘Pishtari i Grave” që mori në 2008-n si përkrahëse e të drejtave të grave, që ta shtynte edhe më drejt dëshirës për të hapur një muze, pikërisht për kontributin e grave në shoqëri në epoka të ndryshme, përmes objekteve. çmimi që Qeveria daneze i dha një gruaje në 100 vende, kishte pas disa zotime që u përkisnin çështjeve të grave. Ndërkaq Elsa do t’iu jepte formë shqetësimeve të veta drejtuar këtyre çështjeve. Edhe pse deri dikur ekzistonin shoqata, strategji, nuk ka ende lëvizje, frymë e cila të mban në tension e që jetohet përditë. “Por për ta ndihmuar këtë lëvizje, duhet ta zhvillosh, duhet të kthehet në një mekanizëm që funksionon në vazhdimësi”. E për të shtuar gurët në ndërtesën e kësaj lëvizjeje, Ballauri, mendoi të vërë në përdorim koleksionet e saj në vite, për të rrëfyer kështu historinë e gruas e zhvillimit të saj.
Një zyrë jashtë kohës
Zyra e Elsa Ballaurit, nuk gjen lehtësisht krahasim me zyrat e tjera të punës. Shërben padyshim edhe ajo për të punuar, por jo vetëm. është e tejmbushur me objekte të së shkuarës. “Objektet e reja nuk më tërheqin, edhe të m’i falin nuk i dua”. Tavolina e madhe, kafe e errët, plot me libra ku qëndron kompjuteri i punës, numëron vite të tëra që nga koha kur është prodhuar. Disa radio të vjetra shpërndarë nëpër kënde të ndryshme, orë muri, orë anijeje, një tavolinë e vogël bakri vendosur mbi një qilim të munduar, e gjithçka tjetër, përveç bibliotekës përqark mureve, është e vjetër. Të lënë një ndjesi rehatie, si ‘në shtëpinë tënde’. S’ka gjë nëse ndonjë, mund të jetë pak i dëmtuar apo jo mirë i punuar. “Po ta shohësh, ky duket që është një punim i mirë, punim mjeshtërish”, tregon Elsa për sëndukun që ka marrë nga qyteti i saj i Korçës.
Pasion i trashëguar
Historia e lidhjes së saj të fortë me antikuarët është shumë më e vjetër se sa përpjekja e 20 viteve të fundit për të koleksionuar sa më shumë. I ati, që sot nuk jeton më, përveç se ka qenë filatelist, ka qenë edhe koleksionues i objekteve të ndryshme antike. Prandaj edhe Elsa, në kujtim të tij, së pari, mendoi ta realizojë në Korçë, në shtëpinë e paraardhësve, muzeun e grave, por ishte larg, e bëhej e pamundur ndjekja e tij. Sidoqoftë, zgjodhi përsëri shtëpinë e prindërve, apartamentin në katin e dytë në një nga pallatet ‘1 Maji’, për të vendosur objektet që ka trashëguar nga familja, e ato që ka koleksionuar vetë. Shembja e mureve të brendshme të tij nuk ishte proces aq i kollajtë, me qenë që çdo hap i shtëpisë ishte i mbushur me kujtime, por dobia e arsyes pse po e hapte atë hapësirë e justifikonte. është ende duke u punuar në atë shtëpi, megjithatë Elsa parashikon që do të jetë e mjaftueshme për t’i mbajtur të gjitha objektet e të gjitha epokave që ka mbledhur: Antikiteti, Mesjeta, Rilindja deri te epoka moderne. Objektet tregojnë jetën dhe zhvillimin e grave shqiptare në shekuj. Nëse Elsa vetë, kudo ku shkon, viziton të parin muzeun e atij vendi për t’u prezantuar, për këtë mendon që do shërbejë edhe muzeu i saj. është e para ide e në llojin e saj. Kujt nuk do t’i pëlqente të klithte i pari një ide ndryshe, prej nga të gjenerojnë dhjetëra të tjera. “Muzeu do të jetë i pari, bërthama, prej nga do të lindin aktivitete të tjera në vijim. Spese, më pas, dua të bashkëpunoj me gra specialiste në fushat përkatëse , atje ku muzeu do të fokusohet. Gjithashtu po bëj përpjekje për të angazhuar në këtë iniciative biznese dhe interesa grash intelektuale që do t’i japin ndihmesë kësaj iniciative me ide dhe veprime konkrete”.
Për Elsa Ballaurin, nuk ishte e mundimshme të ideonte a realizonte muzeun që kishte në kokë. Duke qenë që gjithë kohën kishte ndenjur pranë të atit, arkitekt muzeumesh, gjithçka bëhej më e lehtë. “Ai ishte për mua përgjigjja e çdo pyetjeje”. E tani, që ka përreth vendit të punës, apo në shtëpi e kudo, një pjesë të mirë të objekteve koleksionuar prej tij, duket sikur po bën tok të gjitha përgjigjet që ai vetë do t’i jepte për të bërë punën e duhur. Sado që, me gjithë praninë e tij përmes antikuarëve, Elsa do ta kishte shumë më të lehtë nëse do ishte fizikisht i pranishëm. Po fundja, prandaj i pëlqen të jetë e rrethuar nga aq shumë histori, prandaj ndihet e qetësuar mes tyre, se i shpërfaqin histori, ngjarje njerëz...