Rrëshqet Bajerni, Mançesteri merr kreun
Bajerni i Mynihut nuk mund të shkojë shumë i qetë në ndeshjen e kthimit kundër Lionit, e vlefshme për gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Djemtë e Van Galit nuk morën dot më shumë se një pikë në transfertë ndaj Mynshengladbahut, pasi barazuan 1-1. Ndërkohë, rivalët direkt në luftën për titullin kampion, Shalke, nuk gaboi përballë Hertës së Berlinit, duke fituar me rezultatin 1-0, falë golit të Vesterman. Tashmë lufta për trofeun e Bundesligës është mjaft e hapur, pasi të dyja skuadrat kryesojnë në kuotë të barabartë pikësh, por me bavarezët që kanë golavarazh më të mirë. Në kampionatin anglez, Mançester Junajtid ka marrë tri pikë me shumë vlera në shtëpi. Përballë Totenhemit, “djajtë e kuq” fituan me rezultatin 3-1, ku dy prej golave u shënuan nga Rajan Gigs me penallti. Aktualisht, skuadra e Aleks Fergusonit është në krye të renditjes, por me një ndeshje më shumë se çelsi i Ançelotit, i cili luan sot kundër Stokes.