Interi fitues i derbit milanez
Kampioni i Italisë, Interi, ka shënuar fitore mjaft të rëndësishme me rezultat 2-1 në derbin ndaj rivalit të qytetit Milanit, duke forcuar kështu kreun e tabelës së Serie A dhe duke iu dhënë një goditje shpresave të rosonerëve për të fituar skudeton. Sulmuesi brazilian Adriano çoi Interin në epërsi pas gjysme ore loje në Giuseppe Meazza, ndërsa rezultatin e dyfishoi serbi Dejan Stankovic pak para fundit të pjesës së parë (43'). Alexandre Pato ngushtoi epërsinë në 2-1 në minutën e 71-të, por kjo ishte gjithë çka arritën rosonerët.
Pjesa e parë
Ekipi i Jose Mourinho, që ishte mysafir në takimin e 150-të mes dy ekipeve milaneze, pati rastin të kalojë në epërsi pas 18 minutash lojë, kur një Esteban Cambiasso harkoi për Dejan Stankovic, por mesfushori serb vonoi goditjen e tij duke lejuar Masssimo Ambrosinin të reagojë me kohë në mbrojtje. Megjithatë ishte sërish Interi që hapi rezultatin duke kaluar në epërsi me anë të një goli kontrovers nga Adriano, në minutën e 29-të të ndeshjes. Një harim i Maicon nga e djathta gjeti kokën e brazilianit, i cili dërgoi topin me rrjetë me ndihmën e krahut. Milani dështoi t'i bëjë ballë sulmit të Interit dhe nuk ishte befasi kur nerazurët dyfishuan epërsinë dy minuta para fundit të pjesës së parë. Një harkim nga goditja e lirë e Zlatan Ibrahimovic gjeti Stankovicin, i cili shënoi me anë të një goditje të fuqishme, për ta çuar Interin të qetë në pauzen mes pjesëve.
Pjesa e dytë
Interi pati rastin të trefishojë epërsinë me të filluar pjesa e dytë, kur Milani sërish dështoi të ndalojë një top të gjatë. Mbrojtësi gjeorgjian Kakha Kaladze gaboi duke i dhënë hapësirë Adrianos, goditja e të cilit përfundoi jashtë golit, edhe pse Ibrahimovic ishte i pambuluar duke pritur asistimin e bashkëlojtarit të tij. David Beckham nuk u verejt shumë gjatë ndeshjes dhe u zëvendësua nga Filippo Inzaghi pas 55 minutash loje. Por shanset vazhdonin për Interin, me portierin e Milanit, Christian Abbiati, i cili mbrojti edhe një tentim të Ibrahimovic. Shpresat e Milanit u ringjallën kur pas një loje të mirë të Ronaldinhos dhe një pasimi për Marek Jankulovskin në të majtë, ky i fundit asistoi për Alexandre Paton, që nuk huqi nga afërsia (71'). Një goditje tjetër e Inzaghit u mbrojt nga portieri Julio Cesar, ndërsa një gol tjetër u anulua për shkak të pozitës jashtë loje. Pato pati edhe një rast për të barazuar për Milanit, 12 minuta para fundit të ndeshjes, por Cesar sërish u tregua i vëmendshëm duke ndaluar topin me këmbë. Në minutën e fundit, Inzaghi përsëri ishte afër të marë një pikë nga ndeshja, por aty ishte sërish portieri brazilian ai i cili ruajti portën dhe solli fitoren e merituar për Interin. Me fitoren e sotme Interi ka forcuar kreun e tabelës së Serie A, duke shtuar në nëntë pikë epërsinë ndaj ndjekesit, Juventusit, dhe 11 pikë ndaj Milanit, që mbetet në pozitën e tretë të tabeles.