Interi i thotë lamtumirë Evropës, Milani më pranë Championsit (VIDEO)
Ekipi italian i Interit i ka dhënë fund ëndrës për kualifikimin në Europa League, pasi është mundur 1-3 në San Siro nga Lazio.
Fillimisht kalojnë miqtë në avantazh, pas një autogoli të protierit Handanoviç (21). Më pas ishte Alvarez ai që barazoi shifrat në minutën e 33-të. Por Lazio sulmon akoma dhe më tepër në pjesën e dytë dhe arrin golin e dytë me anë të Hernanes (49 ‘).
Pritej një Inter më agresiv, por që nuk ndodh kështu, pasi zikaltërit pësojnë edhe golin e tretë me anë të Onazi (76). Ndërkohë që Alvarez shpërdoroi një 11-metërsh. Aktualisht Interi ndodhet në vendin e tetë me 53 pikë, pesë më pak se Lazio i vendit të shtatë.
Ndërkohë që nuk ndodhi e njëjta gjë me fqinjët e tyre Milanin, pasi kuqezinjtë fituan bindshëm 4-0 ndaj Pescaras dhe tashmë një fitore i mban larg fazës play-off për kualifikimin në Champions League. Loja u dominua tërësisht nga milanezët, kjo edhe për faktin se Pescara tashmë ka rënë nga kategoria. Goli i parë erdhi nga Balotelli me penallti, pas tij shënoi Muntari. Më pas Flamini dhe sërish Balotelli. Milani aktualisht ndodhet në vendin e tretë me 68 pikë, katër më shumë se Fiorentina e vendit të katërt. Sfida vendimtare do të jetë ajo e kësaj jave me Romën.