E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi luan me Bajern Mynih Arsenali perballe Barcelones

Reali gjen në rrugën e tij Lionin, Totenhemi sfidon Milanin

Interi do të luajë me Bajernin e Mynihut në fazën e 1/8-ave në Champions League, një sfidë e cila duket një përsëritje e finales së sezonit të kaluar. Ky ishte verdikti i shortit të hedhur dje në Nion të Zvicrës, i cili rezervoi edhe dy sfida të tjera mjaft interesante: Arsenal-Barcelona dhe Lion-Real Madrid. Goglat kanë bërë që Roma, Çelsi dhe Mançester Junajtid të buzëqeshin. Ndeshjet e para do të luhen në datat 15-16 dhe 22-23 shkurt, ndërsa takimet e kthimit më 8-9 dhe 15-16 mars. Skuadrat që fituan grupet kanë avantazhin se i zhvillojnë në shtëpi takimet e kthimit.

Bajerni i Mynihut ka shansin të hakmerret ndaj Interit për humbjen në finalen e zhvilluar në “Santiago Bernabeu”. Zikaltrit fituan titullin e tyre të tretë europian, pasi në muajin maj mposhtën gjermanët me rezultatin 2-0, falë dy golave të argjentinasit Diego Milito. E përbashkëta e dy skuadrave është që ato duken në rrugë të mbarë, pas paraqitjeve zhgënjyese në fillim të sezonit. Sfida Inter-Bajern do të ishte edhe më spektakolare, nëse të dyja skuadrat do të arrinin të hidhnin lojtarët më të mirë në fushën e lojës. Arsenali ka përballë kundërshtarin më të vështirë të mundshëm, Barcelonën, e cila është njëkohësisht edhe një prej pretendenteve për të fituar Champions League. “Topçinjtë” paguajnë në këtë mënyrë faktin që nuk fituan grupin. Dy skuadrat “përplasën brirët” në çerekfinalet e edicionit të kaluar, me Barçën që u kualifikua pas fitores me rezultatin e përgjithshëm 6-3 (barazim 2-2 në sfidën e parë në Angli dhe fitore spektakolare 4-1 në “Kamp Nou”). Skuadra e Pep Guardiolës është shfaqur e pandalshme në këtë pjesë të parë të sezonit, mjafton të kujtosh këtu fitoren 5-0 në “El Clasico” përballë Realit të Madridit. Nga ana e tyre, “merengues” do të kërkojnë hakmarrjen përballë Olimpik Lionit. Francezët janë skuadra që i eliminoi gjatë sezonit të kaluar pikërisht në fazën e 1/8-ave: prej gjashtë sezonesh radhazi, madrilenët nuk kanë arritur që të kualifikohen në çerekfinalet e aktivitetit më prestigjioz për klube. Dëshira e Realit për të shkatërruar Lionin është nënvijëzuar nga drejtori sportiv i klubit, Migel Pardeza, sipas të cilit “eliminimi i edicionit të kaluar është ende i freskët në mendje” për spanjollët.

Totenhemi debutues do të kthehet në “San Siro”, këtë herë për t’u ndeshur me Milanin. “Spurs”-at humbën 4-3 në Milano me Interin, kushërinjtë-rivalë të kuqezinjve, por të frymëzuar nga Garet Bejl, ata fituan takimin e kthimit në “Uajt Hart Lejn” dhe siguruar vendin e parë në grup. Harri Redknap shfaqet optimist, pavarësisht formës së shkëlqyer të skuadrës së Alegrit. Short i lehtë për Çelsin, që do të ketë përballë FC Kopenhagenin. Të kënaqura janë edhe Mançester Junajtid dhe Roma, të cilat luajë përkatësisht me Olimpik Marsejën dhe Shakhtar Donjeckun. Më e balancuar paraqitet sfida ndërmjet nënkampionëve në vitin 2000 dhe 2001, Valencia që luan me Shalken.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›