I fiket makina ne tunel arrestohet
Një drejtues mjeti nga Thirra e Mirditës është vënë në prangat e policisë, për shkak se atij iu fik automjeti me të cilin përshkonte tunelin e Thirrës në drejtim të Kalimashit. Ngjarja ka ndodhur të premten pasdite, kur drejtuesi i mjetit, Alfred Prenga, nga fshati Thirrë, që sipas burimeve të policisë është vetëm 18 vjeç, ka qenë duke drejtuar një karroatrec, por në mënyrë të papritur mjeti është fikur brenda në tunel, duke u bërë rrezik për mjetet e tjera që lëviznin aty. Ky defekt i ka shkaktuar telashe të vërteta të riut, pasi u bë shkak që të zbulohej një tjetër penalitet. Mësohet gjithashtu se 18-vjeçari ka dashur ta përdorë tunelin thjesht për të kaluar nga njëra anë e autostradës në tjetrën. Por me t’u vërejtur nga kamerat e sigurisë mjeti është bartur jashtë nga mjetet e trupës mbikëqyrëse, ndërsa i riu është dërguar në paraburgim në Kukës. Burime të policisë thanë se efektivët e stacionit policor të tunelit kanë bërë kontroll brenda në automjetin e Alfred Prengës dhe kanë gjetur një automatik tip kallashnikov. Menjëherë Prenga është shoqëruar për në Policinë e Kukësit dhe atij i është bllokuar edhe automjeti. Nga të dhënat e para rezulton se armën ai e mbante në makinë dhe sërish ai do të kthehej nga galeria tjetër. Prenga punonte në autostradë me karroatrec, duke nxjerrë fitime me tërheqjen e mjeteve që pësonin aksidente rrugore.