E Diel, 1 Nëntor 2026

Interi në finalen e Madridit, shkurorëzohet Barcelona

Fitorja 1-0, nuk u mjafton katalanëve për të shkuar në Madrid

Interi është finalistja e dytë e këtij edicioni të Champions League. Zikaltërit humbasin 1-0 në gjysmëfinalen e kthimit, por fitojnë të drejtën të luajnë më 22 maj në Madrid përballë Bajernit të Mynihut, falë fitores 3-1 në sfidën e parë. Në anën tjetër, Barcelona shkurorëzohet pikërisht në “Kamp Nou”, në një takim ku nuk munguan momentet e diskutueshme. Dalja e Tiago Motës me karton të kuq në të 28-n, goli i dyshimtë i Pike dhe rrjeta e anuluar e Kërkiç, pas një faulli inekzistent me dorë, ishin çastet më të nxehta të supersfidës së djeshme.

Pa kapitenit Pujol të skualifikuar, Pep Guardiola është detyruar të aktivizojë në qendër të mbrojtjes Jaja Ture. Në formacionin 3-4-3 të katalanëve bie në sy avancimi i Dani Alvesh në krahun e djathtë të mesfushës. Ndërsa sulmi i besohet sërish Pedros, Mesit dhe Ibrahimoviç. Zhoze Murinjo rikuperon Shnajder dhe Maikon, por humbet Pandev në nxehjen përpara sfidës. Tekniku portugez hedh në fushë një formacion të çuditshëm 4-3-2-1, pasi zikaltërit janë të rreshtuar më së shumti në krahun e majtë. Kjo ka sjellë vështirësi për daljet e Maikon, i cili ka vuajtur edhe hapësirën e madhe në dispozicion të Pedro Rodriguez. është pikërisht ky i fundit që jep sinjalin e parë të rrezikshëm në portën e Zhulio Sezar vetëm pas 3 minutave, por goditja e tij përfundon pak mbi portë. Barça kontrollon ritmin e lojës, megjithatë “blaugranat” e kanë të vështirë të çajnë kundërshtarët, pasi interistët mbrohen me dhjetë lojtarë dhe nuk lejojnë asnjë hapësirë. Në të 23-tën është sërish Pedro që provon, por gjuajtja e tij fluturimthi nuk inkuadron portën. Minuta e 28-të sjell tension në fushë: Tiago Mota ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë dhe lë zikaltërit në inferioritet numerik. Mesfushori brazilian nuk e pranon vendimin, përkundrazi zemërohet me Busket, lojtarit ndaj të cilit shkaktoi faull. Dalja e Motës, i cili ishte “gardiani” i Leo Mesit, ka bërë që më në fund argjentinasi të shfaqet i rrezikshëm. Në të 32-ën, sulmuesi i Barçës godet nga distanca, por Zhulio Sezar largon me majën e gishtave një gol të sigurt. Pas Mesit tenton edhe Ibrahimoviç, që vetëm pak metra përpara portës godet Samuel në trup. Në fraksionin e dytë të lojës Guardiola ndryshon taktikë, duke aktivizuar Maksuell, ndërsa në të 52-tën është Ibra ai që provon pa fat të devijojë topin me finte drejt portës. Në minutën e 62-të vjen një kombinim i Mesit me Ibrahimoviç, argjentinasi hyn në zonë dhe bie pas kontaktit me Kivun, megjithatë për gjyqtarin De Bleker nuk ka faull. Pavarësisht tentativave të shumta, kontrollit të dukshëm superior të topit dhe mbështetjes së tifozëve, katalanët e kanë të pamundur që të çajnë murin e krijuar nga zikaltërit përpara zonës së tyre. Vetëm nëntë minuta përpara fërshëllimës finale është Bojan Kërkiç ai që shpërdoron, kur pas një harkimi të ëmbël të Mesit u shfaq i vetëm me portën, por devijoi keq me kokë. Barça gjen avantazhin në të 84-ën me Pike, që i nisur në pozicion të diskutueshëm jashtë loje, lëviz bukur në zonë dhe e dërgon topin në rrjetë. “Blaugranat” rrezikojnë me Ksavin e Mesin, por Zhulio Sezar largon rrezikun. Në limitin e kohës, Barcelona pretendon penallti me Dani Alvesh, ndërsa në minutën e dytë shtesë gjyqtari De Bleker anulon një gol të Kërkiç, për një faull inekzistent me dorë. Ky ishte episodi shumë i diskutueshëm që u heq spanjollëve kualifikimin dhe i dhuron Interit finalen e parë në Champions League pas 38 vjetësh.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›