UEFA pezullon Riberi me tri ndeshje, francezi humbet finalen e Madridit
Me fitoren 3-0 në “Stade de Gerland” përballë Olimpik Lionit, Bajerni i Mynihut u bë skuadra e parë që u kualifikua në finalen e Champions League, që do të zhvillohet më 22 maj në Madrid. Vetëm 24 orë pas këtij suksesi, në radhët e bavarezëve ka një futbollist të zhgënjyer: ai është Frenk Riberi. Francezi, që së bashku me Arjen Roben është pika e fortë e ekipit të Van Gal, do të mungojë në “Santiago Bernabeu”. Pavarësisht problemeve me drejtësinë parisiene, për çështjen e prostitucionit në klubin e natës “Zaman”, në fushën e lojës 27-vjeçari mbetet një prej elementëve më të mirë. Por, kartoni i kuq në gjysmëfinalen e parë të luajtur në “Alianz Arena”, pas një faulli ndaj Lisandro Lopez, ka sjellë pezullimin e Riberisë me tri ndeshje. Vendimi u mor nga Komisioni i Disiplinës së UEFA-s. Pasi mungoi në takimin e kthimit me Lionin, tashmë ai do të jetë i detyruar që të ndjekë nga tribuna edhe finalen e Champions-it.
Mungesa e Riberisë paraqitet si një goditje e fortë në ndeshjen më të rëndësishme të vitit, megjithatë Bajerni ka treguar në fushë se mund të bëjë edhe pa shërbimet e mesfushorit. Kjo, edhe falë zgjedhjeve taktike të trajnerit Van Gal, që për të kompensuar mungesën e francezit nuk ndryshoi skemën e lojës dhe vendet e lojtarëve: ai aktivizoi turkun Altintop në krahun e majtë (pozicioni i Riberisë), ndërsa Van Bomel dhe Shvajnshtajger kanë qëndruar në qendër të mesfushës, duke krijuar një dyshe, e cila neutralizoi fantazistët e kundërshtarëve. Pikërisht nga këmbët e Altintop dhe të Roben lindën edhe aksionet që u finalizuan me golat e Ivica Oliç. Edhe pse ecuria në Champions League nuk ka qenë nga më të mirat (4 humbje), tashmë gjermanët kanë fituar besim në forcat e tyre. “Skuadra ka treguar se është rritur pas çdo ndeshjeje që ka luajtur: kundër Lionit në gjysmëfinale ka qenë perfekte”, deklaroi Uli Hënes, presidenti i Bajernit dhe projektuesi i një skuadre që në fillim të sezonit as që nuk cilësohej si favorit në aktivitetin më prestigjioz për klube. Ndërsa presidenti i nderit, Franc Bekenbauer, tha: “Ky Bajern është mjaft kompakt dhe nuk ka asnjë të metë në aspektin strategjik”.
#