Interi në krizë, Morati:Futbollistët janë të lodhur
ITALI- Interi është zhytur në një krizë të paparë në vitet e fundit, teksa ka dalë jashtë Ligës së Kampioneve dhe luftës për titull në Itali. Zikaltërit janë parë një skuadër e lodhur dhe pa ide që prej derbit me Milanin, ndërkohë që në 5 ndeshjet e fundit regjistrojnë 4 humbje. “Interi është duke kaluar një moment krize, që vjen nga lodhja fizike dhe mendore, - pranoi presidenti Masimo Morati në lidhje me momentin që po kalojnë zikaltërit. – Nuk kemi qenë në lartësinë e ndeshjeve që kemi luajtur”, shtoi kreu i klubit zikaltër. Morati ka hedhur poshtë zërat për largimin e Leonardos në fund të sezonit, ndërsa ka fajësuar impenjimet e futbollistëve me kombëtaret për problemet e Interit në këtë periudhë. “Leonardo ka bërë një punë fantastike deri në ndeshjen me Milanin, - deklaroi Morati. – Në atë sfidë pritej maksimumi, por gabimi më i madh ishte që lamë futbollistët të shkonin me kombëtaret. Menduam se do të ishim sërish në formë të mirë, por në fakt ishim shumë të lodhur”, shtoi kreu i klubit zikaltër. Ai u shpreh gjithashtu se skuadra ka nevojë për një javë pushim për t’u rikthyer në formën e saj më të mirë, ndërsa hodhi poshtë zërat për rikthimin e Zhoze Murinjos në verë. Të martën në mbrëmje, Interi do të luajë kundër Romës në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, ndërsa zikaltërit do të jenë pa sulmuesin Samuel Eto. Ai ka një ndrydhje në kaviljen e majtë, të marrë në ndeshjen me Parmën. Në këtë mënyrë Leonardo pritet të hedhë në fushë dyshen sulmuese Milito-Pacini.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)