Përballje atraktive

Kur shorti vendosi për përballjen ndërmjet Barcelonës e Arsenalit, të gjithë botës së futbollit i shkoi mendja te futbolli i bukur dhe atraktiv. Në njërën anë, Messi, Iniesta e Xavi, e në tjetrën Fabregas, Nasri e Van Persie. Kjo ndeshje garanton futboll atraktiv, pasi që bëhet fjalë për ballafaqimin e dy skuadrave që luajnë futbollin më të mirë në Evropë.
Në pesë takimet në Ligën e Kampionëve, duke përfshirë këtu edhe finalen e vitit 2006, kur Arsenal humbiste 2:1, londinezët nuk kanë fituar asnjëherë ndaj ‘makinës katalunase’, duke humbur tri nga këto ndeshje dhe duke barazuar dy herë. Edhe pse Barcelona konsiderohet si superfuqi e futbollit të sotëm, klubi londinez nuk e ka ndërmend të dorëzohet para kohe.
“Kur luani me një ekip si Barcelona, ju keni nevojë që 11 lojtarët të jenë në ditën e tyre më të mirë. Për ne është e rëndësishme se luajmë me besim të plotë. Ajo që e kemi mësuar nga sezoni i kaluar është se në pjesën e parë u kemi dhënë respekt të tepruar. Ne nuk jemi favoritë në ndeshjen e parë, por mendoj se mund t’ia dalim mbanë”, deklaroi menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola ka më shumë sesa respekt për ‘Topçinjtë’. Ai mendon se të dyja skuadrat i kanë gjasat e barabarta për t’u kualifikuar në çerekfinale të kompeticionit më të rëndësishëm evropian të futbollit.
“Arsenali më frikëson, bën një lojë klasike angleze. Ky ekip po luan mirë qe disa vjet. Mendoj se janë më të fortë se sezonin e kaluar, pasi tash kanë Nasrin e gatshëm dhe kanë transferuar sulmuesin Chamakh. Gjithashtu, në fushë do të jetë edhe Fabregas, i cili di ta udhëheqë ekipin”, tha trajneri spanjoll.
“Nëse nuk jeni në formë, Arsenali di t’ju pushtojë. Do të jetë një përballje fantastike, pasi kemi dy ekipe afërsisht të njëjta. Ata janë guximtarë dhe të detyrojnë të mbrohesh me kujdes. Ata luajnë me topin, por dinë edhe të mbrohen. Arsenal është ekip i mirë dhe luan futboll të bukur”, vazhdoi Guardiola.
Ndeshja e parë do të zhvillohet të mërkurën mbrëma në Emirates Stadium në Londër, kurse ajo e kthimit në Camp Nou, më 8 mars. Ndeshja tjetër që do të zhvillohet të mërkurën do të jetë ajo ndërmjet Romës dhe Shakhtar Donetskut.
Liga e Kampionëve
E teta e finales
E mërkurë
Arsenal – Barcelona20:45
Roma – Shakhtar D.20:45