E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqi Junior në Haka

Albert Kuqi është transferuar në Haka. Sulmuesi kosovar është i lumtur që do të ketë rastin të luajë në elitën e futbollit finlandez derisa me punë shpreson të bëhet titullar te skuadra e re. 19-vjeçari synon ta ndjekë rrugën e vëllait të madh Shefki Kuqit. Nga Moral Pozhegu më 16 shkurt 2011 në ora 14:39

Albert Kuqi është bërë anëtari më i ri i klubit finlandez Haka. Sulmuesi kosovar me ekipin nga elita e futbollit finlandez (Veikkausliiga) ka nënshkruar kontratë njëvjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një vit.

19-vjeçari ka bërë hapa përpara në karrierë, pasi sezonin e kaluar është aktivizuar me ekipin FC Viikingit, i cili garon në ligën e dytë finlandeze (Ykkonen). Vushtrriasi synon që dalëngadalë të bëhet sulmuesi i parë i Hakës.

“Kam nënshkruar kontratë me Hakën për një vit me mundësi vazhdimi. Unë jam sulmuesi i katërt i skuadrës, por besoj që hap pas hapi me punë do të arrij që të luaj titullar. Sulmuesit e tjerë nuk janë shumë para meje dhe besoj në veten që mund të arrij“, ka thënë Kuqi për Express.

Vëllai i vogël i sulmuesve të njohur kosovarë, Shefki e Njazi Kuqi, synon që të tregojë cilësitë e tij në elitën e futbollit finlandez, para se të transferohet në ndonjë klub më të madh në Evropë.

“E di që kam talent dhe mund të arrij përpara. Dua që një ose dy vitet të luaj në Finlandë, e më pas të transferohem në ndonjë ligë më të fortë. Unë kam pasur mundësi edhe tani të iki diku tjetër, por kam dashur të rri këtu dhe të përparoj sesa të shkoj diku e të mbes në bankinë, thotë Kuqi Junior.

19-vjeçari dy vitet e fundit ka bërë hapa të mëdha në karrierë. Vetëm para dy sezoneve, Albert Kuqi është aktivizuar te skuadra nga liga e tretë finlandeze FC Lopa. Ai premton se do ta ndjekë rrugën e vëllait të madh, Shefkiut, i cili para disa dite nënshkroi me klubin nga Premierliga, Newcastle.

“Besoj se do të shkoj hapave të Shefkiut. Unë kam stilin e njëjtë me të dhe besoj se me punë do të arrij shumë lart”, përfundoi sulmuesi kosovar me pasaportë finlandeze.

Në anën tjetër, zyrtari i klubi finlandez, Olli Huttunen ka thënë se Haka llogarit në sulmuesin kosovar për vitet e ardhshme.

“Me Albertin kemi bërë një investim për të ardhmen, ai është një lojtar i lindur në vitin 1992. Nuk mendoj se ai do ta ketë një rol të rëndësishëm këtë sezon. Dëshirojmë që ai të zhvillohet dhe ta shohim se çfarë lojtari mund të bëhet”, deklaroi Huttunen për uebfaqen zyrtare të klubit. Sipas, Huttunenit, Alberti është një tip tjetër sulmuesi nga ata që Haka ka në dispozicion.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›