E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi synon Kupën e Italisë dhe… Pacinin

SHKRUAN: Jeton Selimi 26-01-2011 11:14

Presidenti: “Kërkojmë një sulmues. Hipoteza Pacini është e mirë, por nuk jam i sigurt në mund të bëhet. Edhe Matri më pëlqen”. Trajneri flet në vigjilje të ndeshjes me Napolin: “Do të jetë e fortë, por e duam këtë fitore. Merkato? Luis Fabiano më pëlqen më shumë”.

Nuk është më Leonardoja i pamposhtur që njihte vetëm fitore që kur u ul në stolin e Interit. Por besimi i tij mbetet i patundur në vigjilje të ndeshjes me Napolin që mund të vjelë kalimin në gjysmëfinale të Coppa Italia. Trajneri zikaltër siguron se humbja me Udinezen është arkivuar dhe se merkatoja mbetet një opsion, jo e domosdoshme, dhe se infermieria do të zbrazet shpejt. Por, ai që do të flasë për merkaton do të jetë presidenti zikaltër.

“Në garat e fundit Napoli ka luajtur mirë, madje edhe kundër nesh. Me siguri do të jetë tjetër garë, sepse të luash në ‘San Paolo’ është ndryshe. Aty publiku është shumë i nxehtë. Do të jetë një garë e fortë. Është një ndeshje ku luan Interi dhe një ekip që po kalon një moment të mirë në stadiumin e këtij të fundit: ne e konsiderojmë një ndeshje të rëndësishme, duam ta fitojmë”. Sipas Leonardos, Interi do të kërkojë të fitojë, por duke parë kalendarin e ngjeshur pritet edhe një turnover: “Do të kërkojmë të hedhim në fushë një skuadër kompetitive, por sigurisht që dikush do të pushojë, sepse nuk mund të luhet gjithnjë çdo tri ditë. Kemi tre të skualifikuar për ndeshjen me Palermon (Stankoviç, Kivu e Kordoba), por nëse luajnë, nuk e bëjnë sepse do të jenë pushim në kampionat”.

Merkato

Gjatë kësaj jave po synohet merkatoja e riparimeve nëpër repartet e lojës, ndaj nuk mund të mungojnë pyetjet rreth merkatos. “Duhet të vlerësojmë mirë nëse lojtari që do të blejmë mund të integrohet siç duhet me grupin, kështu do të zgjedhim për të blerë ose jo. Ganso? Për momentin është i dëmtuar, ndaj të mos flasim për të. Por ai vlen për të ardhmen. Luis Fabiano? Më pëlqen shumë, është një qendërsulmues, një pikë referimi, por sigurisht nuk është në atë situatë merkatoje sikundër një vit më parë,” ka deklaruar trajneri zikaltër. Por në këtë çështje ka ndërhyrë edhe Masimo Morati, që komenton mundësitë e ndryshme të merkatos për sulmin e Interit. Presidenti zikaltër aprovon dy zgjidhje brenda Italisë, teksa ngel në klasë brazilianin Ganso: “Do të vazhdojmë të kërkojmë një sulmues. Hipoteza Pacini është e mirë, është një lojtar që shikohet gjithnjë me interes sepse ka shumë cilësi. Nuk jemi të bindur nëse mund ta blejmë, por po shohim nëse ka mundësi të tjera. Edhe Matri është një ide e mirë, ndërsa Ganso kushton shumë. Leonardo mirëkupton kur bëhen biseda merkatoje, është shumë i kujdesshëm dhe aktiv për të parë se çfarë mund të bëjë që ta përforcojë skuadrën. Do të përpiqem që t’u përgjigjem pozitisht kërkesave të tij”.

Humbja në Udine

Ndërkohë, ka ardhur humbja e parë nën drejtimin e tij. Leonardo nuk duket shumë i shqetësuar: “Gjëja më e vështirë është të ruhet vazhdimësia dhe kjo është gjëja që ka bërë Interi në vitet e fundit. Duhet ta mbajmë gjithnjë të lartë nivelin e kësaj skuadre: ndonjëherë humbjet vijnë, e rëndësishme është të mos jenë vendimtare. Ne e nisëm mirë pas pushimit dhe kjo na duhej. Në Udine kemi humbur, por kjo nuk do ta ndryshojë rrugëtimin tonë. Mbetemi në grupin e skuadrave që luftojnë për titullin, sepse të gjitha humbasin ndonjë ndeshje”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›