Perez nis kërkimet për trajner të ri!
Ndërkohë, trajneri i Real Madridit ka theksuar se dëshiron të qëndrojë në kryeqytetin spanjoll, por më parë do të bëjë një analizë të punës së tij me klubin
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, trashmë është duke u përgatitur për largimin e Zhoze Murinjos. Sportivja spanjolle “Sport” shkruan se Florentino i ka thënë drejtorit të Përgjithshëm, argjentinasit Horge Valdano, të gjejë zëvendësin e portugezit. Edhe pse shpreson ta mbajë strategun luzitan, Florentino nuk dëshiron që gjithçka t’i mbetet rastit. Refuzimi i Murinjos që t’i japë besimin klubit edhe pas fundit të sezonit, ka nxitur Florentinon të kërkojë zëvendësim për të. Për momentin, Valdano ka një listë prej katër emrash: trajnerin e kombëtares franceze Laurent Blank, ish-trajnerin e Valencias, Liverpulit dhe Interit, Rafa Benitez, menaxherin e Çelsit, Karlo Ançeloti, dhe legjendën e klubit dhe trajnerin aktual të Getafes, Mishel. Zinedine Zidan, i cili është duke punuar pranë presidentit Florentino Perez, raportohet se ia ka rekomanduar atij francezin Blanc. Por, ndërkohë, trajneri i Realit të Madridit, Zhoze Murinjo, ka bërë të ditur se dëshiron të vazhdojë punën me skuadrën madrilene, ndonëse zërat për largimin e tij në fund të sezonit sa vijnë dhe shtohen. Në daljen e fundit përpara mediave, tekniku portugez tha se ai po jep maksimumin për skuadrën, por gjithsesi në fund të kampionatit bashkë me klubin do të bëjë analizën e punës së tij. "Ky është sezoni im i parë këtu dhe mendoj se kjo nuk është thjesht një punë. Unë po bëj më të mirën, por sigurisht në fund do të analizojmë situatën. Por shpresa ime është se bashkë me klubin kemi krijuar të gjitha kushtet për të vazhduar”, ka thënë Murinjo. Gjithsesi, mediat spanjolle vazhdojnë të insistojnë se ky do të jetë sezoni i vetëm i teknikut portugez në stolin e Realit të Madridit dhe se për të po projektohet një rikthim drejt Anglisë.