Interi vazhdon marshin, Milani barazon sërish
Interi ka shënuar fitoren e radhës drejt titullit të ri të kampionit të Italisë, pasi që duket se edhe këtë sezon nuk ka kundërshtar në këtë drejtim. Në ndeshjen e zhvilluar në Giuseppe Meazza kundër Cagliarit, zikaltrit shënuan fitore prej 3-0. Me golat e Goran Pandev (6'), Walter Samuel (20') dhe Diego Milito (47'), Interi arkëtoi tre pikë të reja për t'u përforcuar më shumë në krye të tabelës.
Kuqezinjtë nuk kanë arritur të nxjerrin më shumë se një pikë në përballjen e javës së 23-të në Serie A, kundër Bolognas.
Takimi i zhvilluar të dielën në Stadio Dall'Ara përfundoi me rezultat të barabartë, 0-0. Pas këtij barazimi, Milani rrezikon ta humbë pozitën e dytë në tabelë, pasi që me fitore eventuale kundër Fiorentinas, Roma do të ngjitet në vend të dytë.