Internacionalja, Rama kryetar komisioni për Evropën Juglindore
TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është zgjedhur Kryetari i Komisionit për Evropën Juglindore të Internacionales Socialiste. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Internacionales Socialiste. Lajmi është bërë publik dje nga sekretarja e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në PS, Arta Dade. Për marrjen e këtij vendimi, Internacionalja Socialiste ka vlerësuar përvojën pozitive, që Rama ka sjellë në drejtimin e Partisë Socialiste, duke sjellë në këtë mënyrë edhe risi në të majtën evropiane. "Kjo detyrë i është ngarkuar z. Rama pas një përvoje tejet pozitive në drejtim të Partisë Socialiste, duke sjellë risi, në të majtën evropiane, siç është rasti i aplikimit me sukses të parimit “një anëtar një votë”. Dihet që z. Rama është zgjedhur përmes këtij parimi, duke e hapur partinë drejt shoqërisë civile, duke ofruar mjaft të rinj dhe duke përcaktuar kuota, dhe jo vetëm për përfaqësimin e grave, por edhe për përfaqësimin e të rinjve. Z. Rama, me një vizion bashkëkohor dhe modern në politikën shqiptare, ka ofruar modele larg konfliktualitetit, që ka qenë i pranishëm për një periudhë të gjatë dhe ka dëmtuar interesat madhore të vendit”,- tha dje Dade. Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë, shtoi se Rama, mbetet një partner dinjitoz i të majtës evropiane dhe Internacionales Socialiste, edhe për risitë që ka sjellë, por dhe për vizionin që ai ka. “Ai ka ardhur në politikë në krye të PS-së, si një kryebashkiak i vitit në botë, vlerësuar në 2004-n, dhe vjen me karta shumë të forta qeverisëse. Besoj, që në krye të Komisionit të Evropës Juglindore, z. Rama ka për të dhënë në këtë organizatë kaq të fuqishme, që është një avangardë e socialdemokracisë, në mënyrë të veçantë në drejtim të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit në një rajon, i cili shikon nga e ardhmja socialiste sfida të jashtëzakonshme të integrimit",- tha ajo. N. Pupuleku