Topi: Misioni i EULEX-it, të mos zvarritet shtrirja e tij
Presidenti i Republikës, Topi theksoi nevojën e pranimit të realitetit të ri gjeopolitik të shtetit të Kosovës TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë aktualitetit politik të Kosovës, gjatë Forumit Rajonal Ekonomik, në qytetin e Ohrit. Edhe gjatë takimeve të zhvilluara me homologet e tij, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, theksoi nevojën e pranimit të realitetit të ri gjeopolitik të shtetit të Kosovës dhe bashkëpunimit ekonomik me të, në perspektivën e qartë Euro-Atlantike të mbarë rajonit. Presidenti Topi shfaqi dhe qëndrimin e tij lidhur me çështjen mjaft të diskutuar rreth shtrirjes së misionit EULEX në territorin e Kosovës, duke theksuar faktin se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm tashmë. “Procesi i zbatimit dhe shtrirjes së misionit EULEX në Kosovë nuk duhet të zvarritet, por në të njëjtën kohë duhet të vlerësojë realitetin e pakthyeshëm të pavarësisë dhe të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ai duhet të ketë karakter të barabartë, integral dhe gjithëpërfshirës në zbatimin e tij vertikal apo horizontal dhe t’i shërbejë unifikimit të shoqërisë kosovare në interes të integrimit të saj sa më të shpejtë në shoqërinë tonë të përbashkët që udhëton drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, - tha Topi. Realiteti i ri i gjeopolitik në Ballkan, sipas tij, shfaq nevojën e Kosovës për t’u inkurajuar, duke u bërë pjesë e nismave dhe takimeve rajonale, ku diskutohet për bashkëpunim rajonal, politik, ekonomik apo tregtar. Në këto kushte, kreu i shtetit shqiptar shprehu keqardhjen që në këtë Forum nuk ishin të pranishëm, si Presidenti Tadiç, ashtu dhe Presidenti i Kosovës, Sejdiu. “Ne e kompletojmë bashkëpunimin tonë me realitetet e reja gjeopolitike, por edhe me ato ekonomike. Do të ishte një handikap i madh, në qoftë se ne do të linim jashtë vëmendjes territore dhe njerëz shumë të rëndësishëm, që përbëjnë atë që quhet Ballkani integral dhe i integruar, sepse ka një realitet shumë të mirë në Ballkan. Është realiteti i të gjitha vendeve të Ballkanit, që po demonstrojnë një aspiratë Euro-Atlantike,”- tha ai. Forumi “Konkurrentë dhe partnerë në rrugën drejt BE-së”, trajtoi tema që kishin të bënin me çështje të impaktit të krizës financiare në ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore, të infrastrukturës në rajon, të tregut të energjisë e veçanërisht të shkëmbimeve dhe të bashkëpunimit ekonomik e tregtar në këtë rajon