E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klosi: Masat e PS-së për rinovimin e strukturave

 

Në një dokument pune që sekretariati për çështjet organizative në këtë parti ka përgatitur për mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare, jepet një pasqyrë e gjerë për të gjithë këtë proces

TIRANË- Partia Socialiste ka mbyllur procesin e rinovimit të strukturave të saj në bazë, duke qenë e gatshme tani që të përballojë fushatën e ardhshme elektorale për zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen në një nga dy të dielat e fundit të qershorit, pra ose në 21 ose 28. Për rreth tetë muaj me radhë, kjo parti u përfshi në një aksion politik dhe elektoral për ripërtëritjen dhe gjallërimin e jetës organizative të saj, si një masë në kuadër të përgatitjes për sfidën e ardhshme zgjedhore. Në një dokument pune që sekretariati për çështjet organizative në këtë parti ka përgatitur për mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare, jepet një pasqyrë e gjerë për të gjithë këtë proces, ku natyrisht, përveç arritjeve evidentohen dhe defektet e pariparuara në strukturën organizative të partisë.

Para fillimit të këtij procesi zgjedhor selia rozë organizoi një analizë të proceseve të mëparshme zgjedhore, nga e cila rezultoi se shumë organizata dhe anëtarë të kësaj force ishin thjesht formale, duke mos qenë aktivë. Nisur nga kjo situatë, puna u përqendrua kryesisht në evidentimin një nga një të të gjithë anëtarëve dhe organizatave, si dhe thellimin e procesit të anëtarësimeve të reja në parti. Nën kujdesin dhe monitorimin e të deleguarve të Asamblesë Kombëtare, nuk është lejuar zhvillimi i mbledhjeve fiktive dhe është bërë verifikimi i anëtarësisë së partisë dhe heqja nga listat të anëtarësisë fiktive. Kështu, rezulton se pas këtij procesi, efektivi i PS-së është afro 4 mijë anëtarë më pak se fundi i vitit 2007. Ky fenomen është vënë më shumë re, kryesisht në Vlorë, ku nga listat e anëtarësisë u hoqën më shumë se 600 persona, por duke i shtuar këto lista me 530 anëtarësime të reja. Gjithashtu, në përfundim të kësaj të kësaj fushate organizimi, rezulton të kenë marrë pjesë në mbledhjet dhe takimet zgjedhore rreth 75 për qind e anëtarësisë, ndërsa i krijuan 254 organizata socialiste të reja. Gjithashtu, si rezultat i këtij procesi, sekretariati organizativ i PS-së bën të ditur se u bë e mundur që të realizohen dhe 3112 anëtarësime të reja, nga të cilat 30 për qind e tyre janë femra dhe 70 për qind janë të rinj në moshë. Në këtë dokument pune theksohet se gjatë kësaj fushate riorganizimi është bërë e mundur që të gjitha organizatat e reja socialiste të plotësojnë kriteret statusore të përfaqësimit gjinor dhe moshor. Përmirësime të ndjeshme ka pasur edhe për sa i përket nivelit arsimor të kryetarëve të organizatave socialiste, ku rezulton se për Tiranën, 85 për qind e tyre janë me arsim të lartë, ndërsa në bashkitë Durrës, Elbasan dhe Korçë, kjo shifër qëndron në nivelin e 70 përqindëve. Ndryshe paraqitet gjendja në OS-të e komunave, ku kryetarët me arsim të lartë përbëjnë vetëm 15 deri në 25 për qind të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›