Financat: Inspektimi nuk dublon KLSH-në, kusht për vizat
Ministria e Financave e mohon kategorikisht dublimin e kompetencave të KLSH-së përmes strukturës së re, që pritet të ngrihet pranë ministrit Bode. Nisur nga debatet e shumta të shkaktuara gjatë diskutimit të projektligjit “Për inspektimin financiar”, zv.ministri Nezir Haldeda shpjegoi me detaje të gjithë procesin dhe të rejat që sjell varianti i ri i kontrollit financiar. Ndërkaq, Komisioni i Ekonomisë miraton në parim projektligjin, pas debateve mes mazhorancës dhe opozitës.
KompetencatKLSH është institucioni që me Kushtetutë kontrollon të gjitha institucionet në rang vendi, në drejtim të mbarëvajtjes së shpenzimeve buxhetore, respektimit të ligjit dhe pronës publike. Drejtoria e Inspektimit Financiar, që pritet të nisë punë në janar 2011, do të hetojë ose kontrollojë ato çështje që KLSH nuk mundet t’i shqyrtojë, për efekt kohe apo dinamike. Ministria sqaron se të dyja institucionet do të bashkëpunojnë dhe do t’i rakordojnë të dhënat e mbledhura në terren. Debati lidhet me pavarësinë e institucionit, KLSH-së, që kryen funksionet e Inspektimit Financiar, drejtori që menaxhohet nga qeveria.
Projektligji është pjesë e një pakete ligjesh mbi menaxhimin financiar dhe kontrollin e brendshëm të sektorit publik, që sipas ministrisë sjell filozofinë e përgjegjshmërisë për menaxherët dhe titullarët e institucioneve e agjencive shtetërore që menaxhojnë fonde publike. Lidhur me KLSH-në, zv.ministri tha se “veprimtaria e inspektimit financiar nuk interferon dhe as dublon veprimtarinë e KLSH-së, Auditit, pushtetit vendor apo institucioneve të tjera. Përkundrazi, ajo plotëson dhe qartëson aktivitete të paplanifikuara dhe të rastit që vijnë nga ankesat e qytetarëve, medias, dhe kur kërkohet nga institucione shtetërore vetëm për problematikat tejet të veçanta dhe të momentit, pra thjesht fotografon ngjarjen/ankesën. Me verifikimin e fakteve, Inspektimi raporton se sa i vërtetë është çdo pretendim/konstatim që vjen nga drejtimet e sipërpërmendura”.
Qeveria pretendon se projektligji është bërë sipas rekomandimeve të dhëna nga institucionet ndërkombëtare, por opozita dyshon për manipulim dokumentesh dhe kërkon korrespodencën e ministrisë me organizmin SIGMA, që ka mundësuar draftin. “është punuar gati dy vjet për këtë dhe ligjin e Menaxhimit Financiar Publik. Gjithashtu ka qenë dhe një ndër kërkesat drejt liberalizimit të vizave”, deklaroi Haldeda, duke sqaruar një herë e mirë se miratimi i ligjit të ri do të ndante përfundimisht konfliktin mes Auditit dhe KLSH-së.
Drejtoria e re do të përbëhet nga punonjës të shërbimit civil, si dhe nga ekspertë të çështjeve nën koordinimin e një njësie pranë Ministrisë së Financave.
#