Piro Milkani: Bekim Fehmiu ëndërronte të interpretonte Skënderbeun
Lajmi për humbjen tragjike të aktorit të madh me origjinë shqiptare, Bekim Fehmiu, është pasqyruar jo vetëm nga media vendase, por edhe të huaja. Nga Italia, Spanja, Turqia, Gjermania etj., është bërë me dije lajmi për ndarjen nga jeta në moshën 74-vjeçare të aktorit shqiptar. Ministra të Kulturës, e politikanë, njerëz të artit nga Serbia e rajoni, artistë shqiptarë si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria, i janë bashkuar kësaj dhimbjeje të madhe, duke shprehur mesazhe ngushëllimi për familjen Fehmiu. Të gjithë e kujtojnë me dashuri e respekt njeriun dhe artistin e madh, i cili i dha shumë teatrit e kinematografisë. Njësoj i dashur vjen edhe në kujtimet e regjisorit shqiptar, Piro Milkani.
Atij i kujtohet mjaft mirë se si për herë të parë mbi këtë personalitet të artit shqiptar mësoi teksa lexonte një revistë franceze të quajtur “Kaje du cinema”. Një kritik francez shkruante për kinemanë jugosllave dhe përmendte aty dy shkëlqime, dy yje të kinemasë së viteve ‘60, për Bekim Fehmiun dhe Faruk Begollin, që ishin shqiptarë të Kosovës. “Kjo na ngazëlloi”, thotë ai. Më pas, në pranverën e vitit 1972, fati e desh që në Beograd, kur u organizua java e filmit shqiptar, të shkonte regjisori Piro Milkani së bashku me regjisorin tjetër të madh, Dhimitër Anagnostin. “Natën e dytë të këtij aktiviteti kushtuar filmave shqiptarë, në kinemanë e rinisë në Beograd u shfaq aktori Bekim Fehmiu. Prej asaj nate ai jo vetëm që i ndoqi filmat shqiptarë, por edhe u shoqërua me ne. Bashkë me Anagnostin, ai na ka pritur në shtëpinë e tij në Beograd. Ky takim i parë me të u bë shkak që po atë vit Bekimit t’i bëhej një ftesë nga Kinostudio, në Tiranë. Erdhi dhe qëndroi në Shqipëri për dhjetë ditë. Gjatë kësaj kohe ai shprehu emocionet dhe dashurinë e tij të madhe për vendin nga vinte. Kudo që shkonte ai thoshte ‘Unë jam aktor shqiptar’. Ai kishte ëndërr të interpretonte rolin e Skënderbeun dhe kur erdhi në Shqipëri e shprehu haptas dëshirën për të luajtur rolin e heroit tonë kombëtar. E kishte një ëndërr të jetës së tij, por nga Shqipëria asnjëherë nuk u mor përsipër ky prodhim filmik, sepse edhe sot mbetet një ndërmarrje e kushtueshme”, vijon më tej Milkani. Për regjisorin shqiptar, Bekim Fehmiu, i cili ndërroi jetë ditën e martë, ishte jo vetëm një aktor, por edhe një njeri i madh. “Bekim Fehmiu rrezatonte dashuri për vendin e tij. Ai ishte një shkëlqim i vërtetë i interpretimit aktorial, një aktor shumë i ndjeshëm, që e çoi në këtë moment tragjik”, shton më tej ai.
Duke iu referuar edhe mospranisë së Bekim Fehmiut në skenën apo në ekranet shqiptare, Piro Milkani thotë se vitet e fundit ai filloi të jepte shenja të një tërheqjeje drejt vetvetes, të pranimit dhe pastaj të mohimit për të luajtur në role, në filma shqiptarë e kosovarë. “Por kjo tërheqje ndaj filmave shqiptarë e kosovarë më duket se ishte si pasojë e këtij depresioni që kishte filluar tek ai, në mënyrë absolute nuk kishte asgjë tjetër. Për shembull, pranoi të vinte te filmi i Kujtim çashkut të luante “Kolonel Bunker”, atë rol që e interpretoi Agim Qirjaqi, dhe pastaj në momentin e fundit gjente pretekste dhe nuk vinte. Nuk e di pse, por ishte më tepër problem psikologjik, sesa problem mentaliteti, kundërshtimi apo mosbesimi”, shprehet ai ndërsa kujton edhe takimin e fundit me aktorin e madh me origjinë shqiptare. “Ka ndodhur në kinemanë ‘ABC’ në Prishtinë gjatë vitit 2005. Unë kisha shkuar në Kosovë të përgatisja filmin tim, ‘Trishtimi i zonjës Shnajder’. Iu afrova dhe me shaka i propozova të interpretonte në rolin e Kontit Sternberk. Dhe ai ma ktheu: ‘Me siguri, patjetër do të vij me Piro Milkanin’, por ndihej që në thelb ai ishte larguar nga jeta. Bënte një jetë të mbyllur kohët e fundit. Programi i tij ishte një kafe në orën 12:00 në barin e kinemasë ‘ABC’ e pastaj kthehej në shtëpinë e tij. Gjysmën e kohës e kalonte në Prishtinë e gjysmën tjetër në Beograd”, tregon Piro Milkani, për të cilin Bekim Fehmiu ka lënë pas role të shkëlqyera si në film, ashtu edhe në teatër.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali BerishaKryeministri Berisha i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjes së të ndjerit Bekim Fehmiu. Në mesazhin e tij, Kryeministri shprehet:
“Të nderuar familjarë dhe të afërm të të ndjerit Bekim Fehmiu.
Lajmi për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj më të dashur, korifeut botëror të filmit dhe të skenës, Moisiut të dytë të kombit shqiptar, ka sjellë dhimbje dhe zi në botën e artit dhe të mendimit intelektual të kombit shqiptar. Bekim Fehmiu me talentin e madh ia doli të ngrihet si asnjë shqiptar tjetër në majat më të larta të kinematografisë botërore...”, u shpreh ndër të tjera Kryeministri Berisha.
Ministria e Kulturës së Shqipërisë“Bota e artit mësoi me hidhërim lajmin e vdekjes së Bekim Fehmiut, njërit prej aktorëve më të shquar të hapësirës shqipfolëse të të gjitha kohërave. Bekim Fehmiu ishte dhe mbetet një nga ikonat e artit skenik e atij kinematografik në ish-Jugosllavi dhe në arenën ndërkombëtare. I ndjeshëm ndaj çështjes kombëtare, ai nuk e ka fshehur kurrë mallin që kishte për Shqipërinë. Ikja e tij e parakohshme është një humbje e madhe për skenën e teatrit, artin kinematografik, për botën e artit në përgjithësi e për gjithë hapësirën mbarëshqiptare”.
Teatri Kombëtar ShqiptarNë mesazhin e ngushëllimit që Teatri Kombëtar Shqiptar u ka dërguar familjarëve dhe Teatrit të Prishtinës për humbjen e aktorit të madh me origjinë shqiptare, shkruhet: “Teatri Kombëtar Shqiptar, me hidhërim mësoi për humbjen tragjike të një prej artistëve më të mëdhenj të aktrimit shqiptar, Bekim Fehmiu. Me këtë rast, Teatri Kombëtar dhe njerëzit e skenës dhe ekranit gjejnë rastin për t’u shprehur ngushëllimet e thella familjes së tij dhe kolegëve kosovarë, për humbjen e këtij artisti të dimensioneve europiane”, përfundon mesazhi.
Branislav Micunovic, ministri i Kulturës së Malit të ZiMe rastin e humbjes tragjike të aktorit Bekim Fehmiu, ministri i Kulturës së Malit të Zi, Branislav Micunovic, i ka dërguar një mesazh ngushëllimi ministrit serb të Kulturës, Nebojsa Bradic. “Ju dërgoj ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e njërit prej mjeshtërve të aktrimit, njeriut të dashur, mikut, Bekim Fehmiu. Rolet e tij si në film, ashtu edhe në teatër, kanë mbetur të paharruara për gjenerata të tëra. Bashkëpunimet e tij ndërkombëtare kanë dhënë prova se ai ishte një aktor por edhe një njeri i madh. Bekim Fehmiu, me çdo gjest ka dhënë mesazhe të forta...”, shkruan ndër të tjera ministri i Kulturës së Malit të Zi.
Lutfi Haziri, ministri i Kulturës së KosovësMinistri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Lutfi Haziri, me rastin e vdekjes së aktorit të madh, Bekim Fehmiut, familjes Fehmiu i ka dërguar një telegram ngushëllimi, ku në mes të tjerash thuhet: “Më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta e të thella me rastin e humbjes se njeriut Tuaj të dashur, aktorit të shquar të Republikës së Kosovës, Bekim Fehmiu... Jeta, vepra dhe kujtimi i artistit Bekim Fehmiu janë personifikimi i krenarisë artistike e kombëtare, të cilën ai e prezantoi dhe e përfaqësoi me shkëlqimin e dinjitetit të jashtëzakonshëm në skenën e madhe të artit botëror”, shkruhet mes të tjerash në mesazhin e ministrit.
Margarita Xhepa, aktoreAktorja Margarita Xhepa e ka mësuar me mjaft hidhërim ndarjen nga jeta të Bekim Fehmiut. “Ne shqiptarët e ndiejmë më shumë humbjen e tij, sepse është gjaku ynë. Sinqerisht ka qenë një hidhërim i madh. Kur e mora vesh, u trondita shumë. Edhe pse jeta e tij ishte e ndërtuar në Beograd, ai gjithmonë e ka shprehur dëshirën për të luajtur edhe në Shqipëri. Kishte shpresë që të realizonte rolin e Skënderbeut, po të realizohej një film i ri. Në vendin tonë gjithnjë janë hedhur ide për role madhore për Bekim Fehmiun dhe ai nuk ka thënë jo asnjëherë”, thotë Margarita Xhepa, sipas së cilës, siç ishte vlerësimi i madh për të, e tillë ka qenë edhe dhimbja, e madhe.
Drita Pelinku, aktore“Një njeri i thjeshtë dhe i jashtëzakonshëm”, kështu e kujton aktorja Drita Pelinku, Bekim Fehmiun. “Mbaj mend që i është bërë një propozim për të luajtur ‘Gjeneralin e ushtrisë së vdekur’ dhe ai tha që kishte dëshirë të luante Skënderbeun. Ne nuk duhet ta linim një artist kaq të madh pa e ftuar në evenimentet e mëdha kulturore që kemi pasur në Shqipëri, edhe pse axhenda e tij ka qenë shumë e ngarkuar. Kur mora vesh lajmin, u trondita, më mirë të them u shtanga. Kam pritur që lajmi të jepej për së dyti, që ta besoja me gjithë mend. Ishte një humbje shumë e madhe, është vërtet i vetmi pasardhës i Aleksandër Moisiut”, përfundon ajo.
Nexhmije Pagarusha, këngëtareKëngëtarja e madhe Nexhmije Pagarusha, e cila e kishte njohur Bekim Fehmiun dhe familjen e tij edhe për së afërmi, lajmin për vdekjen e tij e mori nga një gazetë. “E kam njohur personalisht Bekim Fehmiun, e kam njohur edhe familjen e tij, një familje e madhe shqiptare, duke filluar prej babait të tij të madh, një shqiptar i madh e më pas edhe Bekimi, po ashtu një shqiptar i madh. Kemi qenë shumë të ndarë prej tij, mendoj që faji është i yni. Shpesh kam menduar që e kemi harruar. Shumë shpesh bëjmë gabime të tilla. E kam njohur si një personalitet të madh, si shqiptar të madh”, është shprehur këngëtarja.
Isa Qosja, regjisorRegjisori i mirënjohur kosovar, Isa Qosja, po ashtu shumë i pikëlluar për vdekjen e aktorit Bekim Fehmiu, emrin Bekim dhe epitetin kolos nuk i ndante për asnjë çast. “Bekim Fehmiu ishte një kolos i vërtetë. Ai është dalluar me filmin ‘Mbledhësit e puplave’. Ishte një figurë me fuqi të madhe. Kemi humbur një artist të madh. Bota shqiptare nuk ka pasur një artist më të madh. I madh ishte edhe në jetë. Kam komunikuar shumë shpesh me të. Kam dashur që ta kem në një projekt, por fati deshi që të mos ndodhte kështu”, komentoi regjisori Qosja.
Goran Markovaç, regjisor serb“Bekim Fehmiu ka qenë një aktor dhe një njeri i madh, i cili ka realizuar një lidhje të madhe mes serbëve dhe shqiptarëve. Ai ka interpretuar në filmin tim të parë. Asokohe ai ishte një yll dhe unë askush, e megjithatë ai pranoi të interpretonte për mua. Ai ka treguar se nuk ka qenë vetëm një artist i madh, por edhe një njeri i madh”, ka thënë regjisori serb, duke nënvizuar faktin se “historia e vetëvrasjes më duket e pakuptimtë”. “Bekimi njihej si një luftëtar i madh, një njeri i fortë, që nuk dorëzohej kollaj. Mendoj se është e rëndësishme të thuhet se ai ka krijuar një lidhje të madhe mes serbëve dhe shqiptarëve”, ka përfunduar ai.
#