E Shtunë, 31 Tetor 2026

Internacionalja e socialistëve shqiptarë

RUBEN AVXHIU

Këtë fundjavë, Partia Socialiste e Shqipërisë mori një përkrahje nga organizata më e madhe në botë e partive të majta, Internacionalja Socialiste, lidhur me zgjedhjet në Tiranë. Deklarata ka më shumë vlerë simbolike sesa konkrete, mirëpo është interesante në planin historik. 20 vjet mbas themelimit të saj (apo shndërrimit nga Partia e Punës), Partia Socialiste jo vetëm që është bërë pjesë e partive simotra, por edhe ka mundur që ti radhisë ato mbrapa kauzës së saj.Kjo mund të tingëllojë e natyrshme sot, por nuk ka qenë e lehtë që të vihej deri këtu dhe PS-ja është nga partitë që ka vuajtur më shumë në botë për tu pranuar nga kjo internacionale. Deklarata mbase është një shkas i mirë për të shfletuar historinë e kësaj marrëdhënieje.
Partia Socialiste e Shqipërisë festoi disa ditë më parë 20-vjetorin e themelimit të saj në muajin qershor. Mirëpo kritikët thonë se në fakt ajo duhej të priste për të festuar 70-vjetorin e krijimit në nëntor të këtij viti. Nënkuptimi është që forca politike që drejton sot Edi Rama nuk është Partia Socialiste 20-vjeçare, por Partia Komuniste e themeluar nga Enver Hoxha dhe jugosllavët më 8 nëntor 1941, e cila ndërroi emër dy herë: në Partia e Punës, në vitin 1948 dhe në Partia Socialiste në vitin 1991.
Pavarësisht se çmendim keni për ditëlindjen e saktë, është fakt që ndryshe nga partitë e tjera të ngjashme në Europën Lindore, Partia Socialiste nuk u krijua nga themeli. Përkundrazi, Kongresi i 10-të i Partisë së Punës njihet edhe si Kongresi i Parë i Partisë Socialiste. Brenda natës, punistët u bënë socialistë; partia ndërroi emrin, por anëtarësia ishte po ajo.
Kongresi që u kthye në një betejë për figurën e Enver Hoxhës dhe qëndrimit që duhej mbajtur për 50 vitet e diktaturës, nxori një kryesi të re të partisë, ku kryetar u zgjodh Fatos Nano, një njeri që besohej si nga krahu reformator, ashtu dhe nga ai konservator i Nexhmije Hoxhës.
Në këtë situatë, demokratët nuk e humbën rastin për ta denoncuar PS-në si e njëjta parti komuniste, por me emër tjetër.
Demokratët nuk ishin të vetmit që nuk u bindën nga kjo parti e re. Një qëndrim të ngjashëm mbajti edhe Internacionalja Socialiste. Kjo organizatë ndërkombëtare, ku mbizotëronin partitë moderne majtiste europiane, bënte kujdes që të mos ngatërrohej me të majtën komuniste, e sidomos me partitë e diktaturave të natyrës sovjetike.
Partisë Socialiste Shqiptare iu refuzua kërkesa për tu anëtarësuar në këtë organizatë me arsyen kryesore se nuk kishte bërë një shkëputje të qartë nga periudha enveriste.
Përpjekjen socialiste për njohje ndërkombëtare e sabotoi edhe një parti tjetër shqiptare. Në vitin 1991, një numër ish-punistësh, ish-ministrash, por edhe intelektualësh të vendit me pikëpamje të majta, u mblodhën dhe formuan Partinë Socialdemokrate Shqiptare. Partia kryesohej nga Skënder Gjinushi, ish-ministri i Arsimit në kohën e revoltave studentore.
PSD synoi që nga fillimi që ti merrte vendin që zinte në politikën shqiptare PPSH-PS-ja. Mirëpo kjo orvatje dështoi. Me përjashtim të një numri figurash intelektuale e profesionistësh të suksesshëm, shumica e majtistëve preferuan të qëndrojnë në partinë origjinale.
Kauza e PSD-së u dëmtua edhe nga vendimi saj për të hyrë në zgjedhjet e dyta pluraliste si aleate e Partisë Demokratike. Me më shumë guxim dhe fantazi, PSD duhej të kishte ofruar një alternativë të tretë si kundër PS-së, ashtu dhe kundër PD-së. Do të kishte qenë e vetmja mënyrë për të tërhequr reformatorët brenda PS-së që ishin të pakënaqur me partinë e tyre, por edhe PD-në e shihnin me dyshim e me bezdi.
Sikur në Kongresin e 10-të të PPSH-së, punistët të mos kishin mundur të ndryshonin emrin e partisë dhe të largonin nga radhët ish-anëtarët e Bllokut, puna do të kishte qenë më e lehtë për PSD-në. Mirëpo e drejtuar nga një ish-ministër i Ramiz Alisë, ishte më e lehtë për PS-në e re që të akuzonte partinë e saj simotër (dhe njëkohësisht shemër) si hipokrite dhe tradhtare.
Mirëpo, nëse në Shqipëri, PSD nuk mundi tia zinte vendin PS si partia më e fuqishme e majtë, ajo pati sukses në fushën ndërkombëtare. Internacionalja Socialiste e pranoi si anëtare me të drejta të plota. Në sytë e socialistëve ndërkombëtarë, aleatja e tyre në Shqipëri ishte PSD.
Sot, Skënder Gjinushi është një nga aleatët më të devotshëm të PS-së. Në fakt, ka qenë i tillë prej vitesh. Mirëpo, në pjesën më të madhe të viteve 90 misioni i tij kryesor ishte sabotimi dhe përbaltja e Partisë Socialiste në arenën ndërkombëtare. Edhe kur PSD doli nga qeveria e PD dhe filloi të bashkëpunojë me PS, përsëri e kritikonte atë në bisedat me të huajt, sidomos në kuadrin e Internacionales. Ishte e rëndësishme për PSD që të mbetej e vetmja parti me të drejta të plota në këtë organizatë ndërkombëtare.
Thyerja e parë e izolimit të PS u bë nga njeriu që është sot ndoshta politikani më i urryer nga radhët e saj: Ilir Meta. Në krye të Forumit Rinor Socialist, të njohur ndryshe si FRESH, Ilir Meta, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi dhe një numër aktivistësh të rinj socialistë, siguruan anëtarësimin në Internacionalen e Rinisë Socialiste. Fushata e Metës dhe Majkos në PS kundër qëndrimit evaziv ndaj figurës së Enver Hoxhës solli një freski të rëndësishme në radhët e partisë së atrofizuar 50-vjeçare, si dhe u siguroi atyre besim ndërkombëtar.
Praktikisht, FRESH u bë një lloj ambasadori i Partisë Socialiste mes së majtës europiane dhe ndërkombëtare. Ishte nga kjo derë e vogël që do të hynte më pas vetë partia e madhe. Sot Metës ndoshta nuk i pëlqen kur i kujtohet kontributi i rëndësishëm që dha për pranimin ndërkombëtar të partisë, të cilën u detyrua ta braktiste disa vite më parë për të formuar Lëvizjen Socialiste për Integrim. Bashkë me të ikën shumica e njerëzve që kishin luajtur një rol të rëndësishëm në pastrimin e figurës së PS në sytë ndërkombëtarë. Monika Kryemadhi ka pasur rol drejtues në Internacionalen e Rinisë Socialiste, një shans që rrallë u vjen përfaqësuesve të partive nga vendet e vogla.
Ilir Meta shërbeu për disa vite si sekretar i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Partisë Socialiste dhe luajti një rol të madh personal që PS të thyente akullin në lidhjet me jashtë, duke grisur imazhin e saj si enveriste. Kur në vitin 1996 ai humbi në betejën politike për ti marrë kryesinë Fatos Nanos që ndodhej prej vitesh në burg, Meta dhe shokët e tij u tërhoqën në suazën e Fresh-it, i cili në atë kohë filloi të vepronte gati si një parti më vete. Në atë kohë, nuk është çudi që edhe Meta vetë të jetë përpjekur të zhbëjë hapat që kishte ndërmarrë në ato vite që PS të pranohej ndërkombëtarisht.
Në këtë situatë, anëtarësimi i PS-së në Internacionale do të mund të ishte vonuar shumë më tepër nëse rrëmujat e vitit 1997 nuk do ta kishin sjellë Partinë Socialiste në pushtet.
E vendosur në qeveri, PS pati shansin që të tregonte bashkëpunim më ndërkombëtarët, vazhdim të rrugës për anëtarësim në NATO dhe në BE, dy tema të cilat në fillim të viteve 90 kishte mbajtur qëndrime të papërgjegjshme dhe evazive. Asgjë nuk e ka ndihmuar më shumë PS në lidhjet e saj ndërkombëtare sesa 8 vitet e qeverisjes. Shumë nga qeveritë europiane të kohës drejtoheshin nga socialistë dhe lidhjet qeveritare e ministrore u shërbyen edhe për lidhje partiake.
Në tetor 2003, në kongresin e radhës të Internacionales Socialiste, të mbajtur në Brazil, PS u anëtarësua më në fund me të drejta të plota, duke mbyllur një fushatë gati 12-vjeçare përpjekjesh për tu shkëputur nga imazhi i Partisë së Punës dhe mosbesimit ndërkombëtar.
Nuk është çudi që nevoja e socialdemokratëve për poste në qeveri, në pushtetet lokale, madje edhe në Parlament, si dhe qartësimi se PSD nuk do të ishte kurrë dot aq e fortë sa për të rivalizuar PS, të kenë ndikuar që PSD nga sabotuese të jetë kthyer në përkrahëse të kërkesës së PS për anëtarësim.
Për ironi të fatit, pikërisht në ato ditë kur PS bëhej anëtare me të drejta të plota në Internacionale, njeriu që më së shumti kishte ndihmuar në këtë përçapje po dëbohej nga radhët e saj. Ilir Meta, bashkë me Anastas Ang

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›