E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guida e PS-së pas përfundimit të procesit

SAMI NEZA

Afrimi i përfundimit të procesit zgjedhor në Tiranë përkon edhe me marrjen e vendimeve të rëndësishme për strategjitë që do të ndjekë opozita në vijim. PS ka mbledhur të shtunën Asamblenë Kombëtare, por pa deklaruar zyrtarisht një linjë të re të strategjisë, megjithëse një profil duket qartë. PS do të reduktojë gradualisht komponentin radikal dhe do të bëjë një luftë institucionale kundër qeverisë. Është deklaruar vazhdimisht nga lidershipi i PS-së se strategjia në vijim e Tiranës varet prej përfundimit të këtij procesi. Një përfundim që përafrohet me ambiciet e opozitës për një verifikim të skajshëm të procesit, qoftë edhe me një rivotim, do të sillte si rrjedhim zvogëlimin e sjelljeve ekstreme të opozitës dhe do të çonte drejt kompromisit me maxhorancën në termat e reformës së integrimit. Edhe vetë Rama, kohë më parë, ofroi këtë lloj bashkëpunimi në këmbim të mandatit të Tiranës, një sjellje jo fort etike kur lihet të kuptohet një tentativë për negocim të pushtetit apo marrje të pushtetit nëpërmjet negociatave.
Një përfundim i procesit që heq përfundimisht nga duart e Ramës Bashkinë e Tiranës supozohej se do të ruante status kuonë, pra opozita do bëjë rezistencë ndaj pushtetit, kryesisht në rrugë, dhe maxhoranca do të jetë e vetme në Parlament, do të kemi bllokim të reformave integruese dhe shtyrjen e statusit të vendit kandidat pas vitit 2013.
Pamja e mësipërme duket si e palëvizshme, shumë teorike për të qenë e vërtetë, ashtu siç u pa edhe nga punimet e Asamblesë Kombëtare. Kjo për shkak se Edi Rama nuk mund të vendosë plotësisht për strategjinë që do të ndjekë PS, sido që të jetë vendimi i Kolegjit Zgjedhor për Tiranën. Në çfarëdo rasti, pushteti i tij është lëkundur dhe ai nuk është më lideri i pashoq i së majtës, edhe pse tani për tani sërish është i vetmi me kredencialet e liderit.
Pushteti i tij është i lëkundur për shkak se strategjia e rezistencës së fortë, pa ndonjë arsye të fortë ndaj qeverisjes, nuk ka dhënë rezultat. Shndërrimi i opozitës në rezistencë ishte një formulë e pagjetur që solli kosto për vendin dhe për opozitën me shumë sesa kosto për qeverinë. Rezistenca nuk ndaloi dot liberalizimin e vizave, një detyrë tërësisht e qeverisë, nuk lëkundi treguesit makroekonomikë, nuk solli krizë bankash apo biznesi, ulje të nivelit të jetesës etj. Ndërkaq, ajo arriti të pengojë reformat integruese dhe të gjithë e dinë se rezistenca e opozitës ndikoi në bllokimin e procesit të integrimit të vendit duke e sjellë atë sërish në një nivel me Bosnjën. Pra, vendi u dëmtua, imazhi i qeverisë jo. Partia Socialiste, përgjatë forcimit të radhëve u përça edhe më tej, nuk siguroi dot konsensusin për kauzat e saj kryesore, si dhe humbi shumë në sjelljet liberale tradicionale të kësaj partie brenda vetes. Partia Socialiste e 2005-s, me dy mandate qeverisjeje që nga 97-a dhe fitore në dy zgjedhje lokale, atë të vitit 2000 dhe atë të 2003-shit, ndryshon rrënjësisht nga Partia Socialiste e 2010-s, që ka humbur pothuajse dy zgjedhje lokale dhe një palë zgjedhje parlamentare. Partia Socialiste e 2005-s kishte një kohezion brenda saj me plot mundësi zgjerimi dhe reformash, ndërsa sot kohezioni ka humbur, PS është zgjeruar në drejtim të ish-bashkisë dhe është zvogëluar në drejtim të traditës.
Pushteti i Ramës është i lëkundur për shkak se ka humbur Tiranën, betejën e tij në qendër dhe ka humbur referendumin, po ashtu betejën e tij kombëtare. Vërtet ka fituar bashkitë e mëdha, veç Tiranës, por përjashto Fierin, Vlorën, Korçën, Sarandën, disa nga fitoret e tjera janë të ngritura mbi gabimet e PD-së apo kompromise të pashmangshme brenda maxhorancës për figura jo shumë konkurruese, prandaj në shumë prej tyre opozita ka kryetarin dhe maxhoranca ka këshillin. Fitoret mbi gabimet e të tjerëve jo se nuk janë legjitime, por ato bien kur gabimet e palës tjetër ndreqen.
Por, ndërkaq, është vënë në diskutim lidershipi i tij, pra Ramës, dhe serioziteti i liderit. Rama ka humbur në Tiranë dhe mbetet i vetmi kryetar partie që humbet personalisht në betejë, në emrin e tij më shumë se në emrin e partisë, dhe sërish është në udhëheqje. Për më tepër ai nuk ka pasur përballë kryetarin e maxhorancës, pra homologun e vet në këtë humbje, por njërin prej dyshave të saj, që edhe pse zyrtar i lartë, nuk e kishte profilin e kryetarit të partisë së madhe.
Pushteti i Ramës është i lëkundur për shkak se brenda PS-së ka rikthim të plastikës së vjetër. Ajo po sillet në dy forma, njëra si shpalim i debatit të brendshëm për tema tabu brenda saj dhe që sjellin në diskutim vendimet apo shijet e kryetarit të partisë. Kjo vihet re në deklaratat e disa deputetëve, por mund të theksohen më shumë Braçe dhe Malaj, pa llogaritur Islamin dhe Harasanin, që kanë dalë haptas kundër qëndrimit zyrtar të PS-së në shumë raste. Forma tjetër është rikthimi i konservatorëve për shkak të hapësirës që krijohet prej tkurrjes së pushtetit të Ramës. Ata nuk përbëjnë vlerë për PS, por, nga ana numerike, janë të rëndësishëm dhe politika është edhe sasi. Të rinjtë e sjellë prej Ramës nuk kanë dhënë prova, pra nuk kanë fituar, kështu që duhet të lirojnë pak vend, edhe pse jo të gjithë vendin, tani për tani. Kjo zhvendosje e re forcash brenda PS-së është përshkruar me kujdes edhe në dy grupet e punës që ngriti Asambleja para zgjedhjeve. Në atë të programit politik ka figura nga të gjitha segmentet e PS-së, ndërsa grupi i punës për organizmin dhe zgjedhjet në parti është ndërtuar me vigjilencë të shtuar dhe ka në përbërje kryesisht përfaqësues nga grupi i ish-Bashkisë.
Pra, duket qartë se retorika e mëhershme e Ramës se strategjia e opozitës pas përfundimit të procesit do të jetë e lidhur shumë me rezultatin, bie.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›