Greqia pyet: ku po na shpien vallë këta politikanë?
Në Greqi mbizotëron një kuptimësi e tillë që - gjatë kohës kur opinioni publik në vend dhe huazuesit tanë financiarë jashtë tij mbeten në pritje të njëmendësisë dhe pjekurisë - udhëheqësit e politikës vendase po ndjekin kursin 180 gradë ndryshe. Ministri i ri i Mbrojtjes, Panos Beglitis, ashtu pa pritur e pa kujtuar, “zbuloi” rryma a korrente të partisë opozitare “Nea Democracia” brenda radhëve të Forcave të Armatosura, si dhe po ndjek një linjë mendimi që vendi e kishte hedhur me kohë pas shpine me shumë përpjekje e mjaft sakrifica. Sakaq, zëdhënësi i formacionit politik opozitar “Demokracia e Re” është shfaqur sërish shpesh e më shpesh në debatet e ekraneve televizive, duke përsëritur kudo shprehjen: “Turp t’ju vijë”, ndonëse kjo frazë gjithsesi nuk është veçse retorikë politike. Një njeri cinik, por edhe i njohur e me përvojë, ofroi këtë shtjellim rrënqethës: Sondazhet e kryera në opinionin publik bëjnë me dije se në zgjedhjet e ardhshme, të dyja partitë politike më të mëdha në vend do të votohen vetëm nga pjesa e ngurtë e militantëve partiakë. Në rrafshin praktik, kjo do të thotë se udhëheqësit e tyre përkatës tashmë dëshirojnë të mbajnë rreth vetes vetëm votuesit fanatikë, duke përdorur mjete e metoda të polarizimit të skajshëm. Gjithsesi, neve na duhet t’i shtrojmë pyetjen vetes nëse kjo është çka i nevojitet vendit në rrethanat në të cilat gjendemi? Opinioni publik po këqyr me shqetësim të madh, madje dhe me frikë, se çka po ndodh me kalbëzimin e retorikës politike dhe paaftësisë së pashembullt të lojtarëve politikë kryesorë në vend për të gjetur truallin dhe gjuhën e përbashkët për çfarëdo lloj çështjeje në shqyrtim. Askush nuk e vë më ujin në zjarr se kush tha çfarë, apo cilin duhet të qortojmë për faktin e mungesës së marrëveshjeve ndërmjet partisë që qeveris vendin, PASOK-ut, dhe partisë që drejton opozitën, “Demokracie e Re”. Sherrnaja e këtyre forcave politike po dëmton pikërisht atë çka i vyen më shumë njerëzisë, aq më tepër që sjellja e tyre politike po e shquan sistemin politik si të papërshtatshëm dhe fundekrye aguridhe. E sikur gjithçka të mos mjaftonte me kaq, “qentë roje” të secilit kamp politik po lehin në tufë të gatshëm të kafshojnë në thembër gjithkënd që guxon të bëjë mënjanë nga turma e militantëve dhe fanatikëve politikë. Një gjendje e tillë nuk na shpie askund. Greqia e vitit 2011 ka edhe një pjesë domethënëse të shtresës së mesme, e cila është e pangjyrë kur bie fjala për siglat politike. Pikërisht kjo shtresë shoqërore e ka përballuar krizën më me gjakftohtësi dhe që njëherazi është mjaft e vetëdijshme se Greqia ndodhet vetëm një hap larg rrëmetit. Njëherë e një kohë ka qenë kjo shtresë shoqërore, e gjallë dhe e mirëinformuar, që përcaktonte drejtimin dhe ritmin e zhvillimeve në vend; tashmë, ky segment i shoqërisë greke ka rënë në limonti dhe vret mendjen se për nga po ia mbajmë me këto lloj qëndrimesh politike dhe sjelljesh shoqërore.
...