E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nevoja për një opozitë idesh

Kur gara për Tiranën mbetet ende e hapur, Asambleja Socialiste ka deklaruar dje, krejt papritur, ndërprerjen e bojkotit të parlamentit. Një debat që duket i parakohshëm, por që është amplifikuar ditët e fundit në faqet e shtypit nga Erjon Braçe dhe disa eksponentë të tjerë socialistë. Qëndrimi i ri i PS-së në këto momente, kur sytë dhe veshët janë drejtuar nga Kolegji Zgjedhor, më tepër se faktorit vendas, duket se ka dashur t’u japë një sinjal pozitiv ndërkombëtarëve, të cilët natyrshëm janë të interesuar të dinë se çfarë do të ndodhë me opozitën të nesërmen e vendimit, që zyrtarizon Lulzim Bashën si kreun e ardhshëm të bashkisë. Në këtë situatë të nderë, z.Rama ka folur dje për ndryshimin e taktikës së bojkotit dhe për ngritjen e një programi të ri politik të partisë që ai drejton prej gjashtë vitesh. Falë kësaj strategjie, kreu i PS-së ka transmetuar tek diplomatët e huaj imazhin e një partie që nuk rrezikon të “dalë nga binarët”, ashtu siç përpiqen ta vizatojnë shpesh përfaqësuesit e maxhorancës në takimet në Bruksel apo Uashington. Por, ndërsa një mesazh i tillë mund të duket shpresëdhënës për një mbështetje të huaj, është ende mister nëse ajo do të mirëpritet edhe në radhët e brendshme të partisë.
Brenda kësaj force, po ziejnë prej muajsh mendime të ndryshme për mënyrën se si duhet të përballet opozita me një qeveri të pandëshkuar deri më sot, nga gjykatat edhe për afera të dyshimta. Qëndrimi i fundit i opozitës duke bojkotuar Parlamentin, i ka krijuar dashur pa dashur maxhorancës mundësinë për të kaluar pa shumë zhurmë në kuvend vendime të rëndësishme për privatizime strategjike, por njëkohësisht, të vendosë kontrollin e plotë edhe për dekretet e presidentit mbi anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe ata të Gjykatës së Lartë. Pikërisht, ky ka qenë edhe shqetësimi kryesor i z.Braçe apo disa zërave të tjera brenda të majtës, që kërkojnë ndryshimin e qëndrimit të kreut të PS-së.
“Ai që nuk ndërron mendje kurrë, ndoshta s’ka fare”, shkruante Alberto Moravia. Dhe në fakt, Edi Rama ka dhënë dje mesazhin se ka ndryshuar mendim për rrugën e bojkotit të opozitës. Por një ndryshim i tillë në opozitarizmin e PS-së, mund të ketë rezultatin e duhur, vetëm nëse shoqërohet edhe me një frymë të re në rikthimin në parlament.
Gjashtë vite më parë, me ardhjen e Edi Ramës në selinë e socialistëve, u shfaq një tabelë që dëftonte rrugën drejt të ashtuquajturës “Fabrika e ideve”. Një nga nismat tërheqëse të disa viteve më parë, që premtonte ndryshimin e shumëpritur me ardhjen e Ramës në këtë seli të partisë, e cila sapo kishte rënë në opozitë. Ishte një gjetje e bukur, për të dëshmuar se tashmë kishte ardhur një frymë e re dhe konstruktive. Në ato momente, të gjithë prisnin një hov të ri të opozitës, një bashkim të klaneve dhe grupimeve, për t’i ndryshuar imazhin që e rrëzoi nga pushteti. Ardhja e një lideri të ri dhe plot energji, i ka dhënë deri diku rezultatet në ripërtëritjen e imazhit të PS-së, nga një parti e drobitur në një opozitë faktorizuese. Tashmë në atë seli ka shumë më tepër këshilltarë të rinj e plot finesë, të cilët kanë zëvendësuar “xhaketat e vjetra” socialiste, që mbanin mbi shpatulla hijen e komunizmit e që shpesh krijonte një imazh të gabuar tek ndërkombëtarët. E megjithatë, rruga nga zyra e kryetarit drejt “Fabrikës së ideve” dhe anasjelltas, mesa duket, vazhdon të mbetet e gjatë për t’u përshkuar çdo ditë. Pikërisht tashmë që opozitës i nevojitet një tjetër dimension, përtej imazhit të fasadës apo ngjyrave të ndezura, është e nevojshme që PS-ja të shpalosë “Fabrikën e ideve” dhe programeve të saj, nëse vërtet dëshiron që të jetë një opozitë e fuqishme.
Përtej bilbilave apo zhurmës në sallën e kuvendit, tashmë ka ardhur koha që socialistët të ndërmarrin një model të ri të opozitarizmit. Duhet të krijohet një qëndrim opozitar, ku deputetët socialistë do të vinin në parlament me platformat e tyre të alternativave për çdo vendim të dëmshëm të qeverisë. Ata duhet të shprehin një vizion konkret se si e mendojnë zgjidhjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Nëse duhet të merren kredi për të investuar në hapjen e autostradave luksoze apo duhet shtrënguar më tepër rripi i kursimit. Nëse duhet t’u jepen me koncesion të huajve, zonat minerare të braktisura dhe degraduara apo ato duhet të mbahen ende në pronësi shtetërore, si mall pa zot. Nëse hidrocentralet rentabël duhet t’u shiten privatëve apo ato duhet të menaxhohen në një mënyrë tjetër. PS-ja ende nuk e ka thënë fjalën e saj, se si e mendon ajo zgjidhjen e debateve delikate, si përcaktimi i kufijve ujorë me fqinjin grek, a duhet të kryhet regjistrimi zyrtar i popullsisë apo jo, e shumë e shumë çështje të tjera.
Në këtë mënyrë mund të ndërtohet axhenda e re parlamentare e opozitës, që do ta çojë atë drejt krijimit të një stature të vërtetë opozitare dhe të një partie që ngjall besim edhe tek ajo pjesë gri e elektoratit, që është më kërkuese se militantët e thjeshtë. Në të kundërt, edhe ky ndryshim i aksionit të opozitës nuk do të jetë gjë tjetër, veçse mirazhi i katarsisit të radhës për ngritjen e shpresës deri në zgjedhjet e vitit 2013.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›