E Shtunë, 31 Tetor 2026

Internacionalja socialiste: Mbështesim kërkesat e PS-së

Internacionalja Socialiste ka rikonfirmuar solidaritetin dhe mbështetjen për Partinë Socialiste dhe veprimin e saj politik


TIRANË - Socialistët shqiptarë kanë gjetur mbështetjen edhe të homologëve të tyre nga Mesdheu, lidhur me kërkesat për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit, që u zhvilluan në Shqipëri.


Të mbledhur në Barcelonë, partitë socialiste, anëtare të Internacionales Socialiste, kanë dalë në një deklaratë edhe për Shqipërinë, ku vlerësojnë nevojën e rivendosjes së demokracisë pas dhunimit të saj më 28 qershor.


Takimi i Komitetit të Internacionales Socialiste për Mesdheun, ku mori pjesë edhe një delegacion i Partisë Socialiste të Shqipërisë u zhvillua nën presidencën e Partisë Socialiste spanjolle të Kryeministrit José Luis Rodríguez Zapatero dhe një ndër pikat më të rëndësishme të punimeve të tij, mbi të cilën Komiteti i Internacionales u shpreh edhe në deklaratën përfundimtare ishte situata në Shqipëri.


Deputeti Taulant Balla, prezantoi raportin e Partisë Socialiste dhe qëndrimin e saj mbi zgjedhjet e 28 qershorit dhe marrëdhëniet e kushtëzuara me Kuvendin e Shqipërisë.


Me propozim të Presidencës së Internacionales, Komiteti vlerësoi se: "në Shqipëri demokracia duhet të rivendoset dhe kërkesat e Partisë Socialiste në marrëdhënie me dhunimet dhe parregullsitë në zgjedhjet e 28 qershorit duhet të pranohen". Internacionalja Socialiste ka rikonfirmuar solidaritetin dhe mbështetjen për Partinë Socialiste dhe veprimin e saj politik.


Gjithashtu në deklaratën e Barcelonës, organizata e partive socialiste në mbarë botën, ka theksuar angazhimin e përbashkët të partive socialiste dhe socialdemokrate, për të luftuar korrupsionin politik që siç theksohet në deklaratë "shfaq mungesë respekti për financat publike, lirinë e shprehjes dhe interesat e përbashkëta themelore".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›